E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbresa nga botimi “Dënimet politike të komunizmit në rrethin e Përmetit”, i autorit Luan Dino

24-05-2012 / Nga Fredi Babani

Të dënuarit e Përmetit

Në një publikim të kohëve të fundit, me titull “Dënimet politike të komunizmit në rrethin e Përmetit”, Luan Dino, gjuhëtar dhe arsimtar i shquar, dikur i denigruar nga sistemi diktatorial komunist, ka mundur të paraqesë me vërtetësi, nga një këndvështrim origjinal, krimet monstruoze të sistemit të përçudnuar që lamë pas. Ndërsa lexuesi njihet me faktet dhe ngjarjet e ndodhura në një trevë shumë të ngushtë të vendit tonë, nuk mund të mos i ndiejë të ngjashme me ato të të gjithë territorit shqiptar, si për nga raportet me popullatën, ashtu edhe për nga qëllimet dhe mekanizmat diabolike të përdorura.
Sipas dokumentacionit që ka mundur të grumbullojë autori, llogaritet që në rrethin e Përmetit, gjatë periudhës së regjimit komunist, të jenë viktimizuar të paktën 55 persona, nga të cilët 87 janë pushkatuar apo kanë vdekur në burgje. Rezultojnë edhe 84 familje të dëbuara dhe të internuara, shumica brenda rrethit. Me përjashtim të kësaj shifre të fundit, shifrat e tjera janë të krahasueshme me të dhënat që disponohen në shkallë vendi. Kjo do të thotë, që diktatura ka qenë njëlloj e egër në të gjithë Shqipërinë. Masat represive kanë qenë të ngjashme, si në Përmetin e qytetëruar e të qetë, ashtu edhe në Labërinë krenare e luftarake, në veriun konservator e të kulturuar, apo në qytetet e mëdha, ku ndeshej mendimi i lirë atdhetar me dhunën e verbër të atdhemohuesve, internacionalistë të paskrupullt. Kjo rrethanë rrëzon edhe përpjekjet manipulative të socialistëve për të ndarë vendin në “zona tonat dhe zona të kundërshtarit”.
      Viktima përmetare të terrorit komunist do të gjenden në të gjithë proceset e bujshme penalizuese të zhvilluara në rang kombëtar gjatë gjithë periudhës mbi dyzetepesë vjeçare të diktaturës. Në proceset gjyqësore kundër të ashtuquajturve kolaboracionistë, kolaboracionistët e vërtetë komunistë do të jepnin dënimin kapital për ushtarakun e shquar Aqif Përmeti, që nuk e kishte kursyer jetën e vet për hir të çështjes kombëtare as në betejat kundër vorioepirotëve, as në luftën e Vlorës. Do të dënohej me vdekje intelektuali Kostandin Kote, që në të njëjtin proces gjyqësor, i akuzuar për fashist, do t’ i drejtohej ish fashistit aktiv, prokurorit, “juristit” të pashkolluar Bedri Spahiu, me fjalët profetike:
- Gjykomë me drejtësi, nëse nuk do që një ditë të shohësh fantazma si Makbethi. -  fantazma që Bedriu i pa shumë shpejt e deri në pleqërinë e thellë pendestare. Vetë Kostandin Kote do të rrëfehej para pushkatimit:
- E shkuara ime është patriotike.
      Në gjyqin  e sajuar kundër inxhinierëve të tharjes së kënetës së Maliqit, do të dënohej me pushkatim inxhinieri i shquar Mirush Xherahu, pinjoll i një familjeje të shquar patriotike përmetare. Ai, sikundër Kujtim Beqiri nga Vlora dhe kolegët  tjerë të shquar,  i ishte kushtuar vetëm punës, por do të flijohej si “kurban” i injorancës drejtuese të shtetit  komunist.
Do të gjendeshin përmetarë edhe në proceset e gjyqit të deputetëve apo në procesin haptazi të paligjshëm e të falsifikuar të “bombës së ambasadës sovjetike”.
Sipas autorit, në Përmet, terrori komunist kaloi nëpër disa etapa, të ngjashme me ato të gjithë Shqipërisë: 1. U fillua me vrasjet burracake prapa krahëve qysh  gjatë luftës së dytë botërore, kohë kur kërkohej bashkim i të gjithë bijve të kombit, ndërsa komunistët e vënë në shërbim të armiqve shekullorë të atdheut shpërthenin luftën civile vëllavrasëse. 2. Krimet vazhduan me ” hakmarrjen”, ku laheshin hesapet me ata që i rezistuan terrorit komunist, por edhe me personazhe që kryen ndershmërisht detyrën ndaj shtetit , që e konsideronin ligjor.
Në zgjedhjet e para të përgjithshme të pasluftës, në ato të 2 dhjetorit 1945, rrethi i Përmetit tregoi qytetarinë e vet, duke votuar kundër të ashtuquajturit Front Antifashist Nacionalçlirimtar me 67 për qind të votave. Ishte kjo, meritë e qytetarëve të ndershëm përmetarë, të qytetit ku qe mbajtur një kongres, i cili vetëm i Përmetit nuk ishte, por që qyteti martir u viktimizua për shkak të tij. Por ishte edhe dëshmi e ndershmërisë, e ndjenjës së përgjegjësisë për detyrën e anëtarëve të komisionit zgjedhor të rrethit. Ata nuk u tunduan të manipulonin rezultatin, siç mund të ketë ndodhur në treva të tjera. Goditja hakmarrëse do të binte mbi disa prej tyre. U dënuan me vdekje anëtarët e komisionit, Agathokli Xhitomi dhe Agathokli Papastathi. Hakmarrja u shtri edhe mbi ballistët. Vetëm gjatë vitit 1947 numërohen të dënuar si të tillë mbi 20 veta.
      3. Në një fazë të mëvonshme, u projektua goditja penale kundër nacionalistëve. Për ironi të fatit, dënohen si agjentë grekë patriotë,  për të cilët atdheu  ishte mbi të gjitha; u pushkatua Papa Aleks Lipe, dikur i internuar në Itali si antifashist, që kurrë nuk kishte pranuar të meshonte në greqisht, por kishte praktikuar liturgjinë në gjuhën shqipe. Bashkë me të, u dënuan Petraq Popli, Ilia Angjeli e të tjerë burra , që Përmeti i njohu dhe i përmend edhe sot e kësaj dite për ndershmërinë e fisnikërinë e tyre.
      4. Më vonë, do të vinte periudha e terrorizmit permanent. Njerëzit duheshin mbajtur nën terror, të mos guxonin të mendonin ndryshe nga  shokët  sundimtarë. Kuadrot drejtuese, të partisë apo të pushtetit, zgjidheshin me nivel të ulët arsimor. Ata do të drejtonin njerëz të ditur, intelektualë të formuar, që u përgjigjeshin me kompetencë nevojave të  prodhimit e të drejtimit ekonomik të vendit. Por njerëzit e shkolluar nuk mund të mbaheshin aq kollaj nën frerin e të paditurve. Ndaj, u ndërmorën herë pas here raprezalje, të planifikuara si shembuj për të mbajtur nën terror punonjësit e thjeshtë apo intelektualët që  kritikonin drejtimin jokompetent të drejtuesve të emëruar nga partia diktatoriale. U instalua, si kudo në Shqipëri, ajo që Luani e quan  “mbretëri e frikës”.
      Është periudha mbas viteve ’60, kur demagogjia e shfrenuar marksiste-leniniste, për të qenë efikase në mbulimin e  dështimeve të sistemit, kishte nevojë edhe për  “grupe antiparti”. Në se qendra i sajonte këto grupe nga hierarkia e vet, si dhe nga lufta midis klaneve, në rrethe të largëta, periferike, diktatura mund të pranonte grupe të tilla, të përbëra edhe nga njerëz të thjeshtë. Është koha kur dënohen për agjitacion e propagandë e për sabotim individë të veçuar. Por sajohen edhe grupe, si ai i ashtuquajturi i vllehëve, ku dotë shpifej për njerëz që i kishin vënë gjoksin punës së ndershme, ndër të cilët Nasho Popo, Vangjel Gramozi, Jorgji Gramozi... Puna arriti deri atje, sa të konsiderohej njeri  shoqërisht i rrezikshëm edhe një punëtor i vetmuar, Rako Shulla, që s’bënte gjë tjetër,  veç luante tavëll, faji i vetëm i të cilit ishte që dikur i ati kishte qenë tregtar!
Në vazhdën e aplikimit të terrorizmit permanent ,hynin edhe masat që merreshin nga diktatura kundër inteligjencës, të cilën edhe kur ajo nuk arrinte ta burgoste e poshtëronte nëpërmjet  praktikës  së mbledhjeve demaskuese masive, apo dënimeve të shpikura nga një shtet  joligjor dhe arbitrar, që shkelte pa të keq dhe as që donte të dinte për të drejtat elementare të njeriut. Ajo vepronte  si në kohën e mesjetës feudale, kur nuk vepronte ligji, por arbitrariteti (kalim në prodhim, heqje e të drejtës së profesionit).
Është mjaft kuptimplotë konstatimii Luan Dinos, se arma goditëse e diktaturës komuniste, institucioni i degës së brendshme është drejtuar dhe organizuar në Përmet,  jo nga përmetarë, por nga të ardhur prej rretheve të tjera. Qytetaria përmetare nuk mund të pranonte të dilnin nga gjiri i saj persekutorë njerëzish të pafajshëm.
Libri i Luan Dinos është thirrje që i bëhet publikuttë gjerë që, në funksion të së ardhmes, kurrë të mos harrohet e kaluara. Rreziku i recidivizmit të mëkateve të ideologjisë dhe praktikës komuniste është ende aktiv. E pamë atë në vitin e mbrapshtë 1997, kur u përsëritën praktikat dhe metodat komuniste të 45 viteve të diktaturës së përmbysur, kur  farkëtuesit socialistë të firmave piramidale shpifën për të fajësuar shtetin demokratik. Por e shohim edhe sot e kësaj dite, kur brezi i ri i bllokmenëve, aktualisht në krye të Partisë Socialiste pengon, dëmton,  frenon reformat, bllokon procesin e integrimit europian dhe fajin përpiqet  t’ua hedhë  forcave demokratike. Përsëritja e shpeshtë e të pavërtetave, si për të kaluarën edhe për të tashmen, rrezikon të lerë gjurmë. Ndaj duhen përsëritur me ngulm të vërtetat tona, për t’i prerë rrugën mashtrimit neokomunist.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›