E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do vendosen rregulla të veçanta për udhëtimet e organizuara

24-05-2012 / Gazeta 55

Ekzekutivi mban një minutë heshtje për viktimat e aksidentit të Himarës dhe shqyrton mundësinë që shumë shpejt të miratohen rregulla të reja për udhëtimet kolektive, duke nisur që nga cilësia e automjeteve e deri tek standardet e sigurisë

Këshilli i Ministrave e nisi mbledhjen e djeshme me një minutë heshtje në nderim dhe respekt të jetëve të humbura në aksidentin e 21 majit në Qafën e Vishës, në Himarë.
Kryeministri Berisha, në emër të qeverisë shqiptare rishprehu ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin më të lartë, familjeve të viktimave të aksidentit tragjik, si dhe përcolli lutjen që ata të gjejnë forcën dhe kurajën për të përballuar dhimbjen e rëndë shkaktuar nga humbja e njerëzve më të dashur. “Ky ishte një nga aksidentet më tragjik në historinë e vendit”, u shpreh kryeministri.
“Ne mblidhemi sot pas aksidentit tragjik të datës 21 maj në të cilin humbën jetën 14 të reja, ndër të cilët 12 vajza dhe i fejuari një vajze e cila është sot në spital dhe shoferi i autobusit, dhe ku u plagosën 22 të tjerë me trauma të gravitetit të ndryshëm. Edhe një herë në emër të qeverisë dëshiroj të shpreh ngushëllimet me te thella, solidaritetin më të lartë familjeve të viktimave të këtij aksidenti tragjik, të lutemi që ato të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe dhe të rëndë të shkaktuar nga humbja e jetës së vajzave të tyre, të njerëzve te tyre me te dashur, të urojmë të plagosurve, të traumatizuarve të këtij aksidenti shërim të shpejtë dhe të garantojmë se qeveria do të bëjë gjithçka për shërimin e tyre të plotë dhe sa më të mirë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi solidaritetin e banorëve të Himarës, të cilët u dhanë ndihmën e parë të lënduarve të aksidentit. Edhe stafi i mjekëve të spitaleve Himarë, Vlorë dhe Sarandë, sipas kryeministrit Berisha, në bashkëpunim me ekipin e helikopterëve, u angazhuan plotësisht përballë tragjedisë, për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve njerëzore.
“Dua të falënderoj sërish në emër të qeverisë të gjithë ata gra dhe burra, të rinj që me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhuan në dhënin e ndihmës së shpejtë, në përballimin e kësaj emergjence shumë të rëndë. Dua të falënderoj banor e Himarës për reagimin e tyre njerëzor shumë të shpejtë, ndihma e të cilëve ka qenë shumë e rëndësishme në shëndetin e mëtejshëm të traumatizuarve. Dua të falënderoj mjekun e Himarës dhe punonjësit e shëndetësisë së Himarës, të gjithë ekipet shëndetësore që u nisën drejt Himarës, punonjësit e shëndetësisë së Sarandës, Vlorës së Tiranës që u nisën drejt Himarës, ekipin e spitalit ushtarak ekipin e urgjencës së këtij spitali dhe ekipe të tjera. Dua të falënderoj dhjetëra e qindra qytetarë të cilët në një akt fisnik humanizmi u paraqitën para spitaleve tona, por edhe ne Kosovë e Maqedoni për të dhënë gjak dhe për të ndihmuar të plagosurit. Dua të falënderoj ekipet e helikopterëve të cilët funksionuan në mënyrë të shkëlqyer. Le tu urojmë edhe njëherë ne, shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, tha kryeministri.
Ndërkaq, nisur nga fakti se aktualisht po hetohet mbi këtë aksident, kreu i ekzekutivit kërkoi që ky hetim të jetë i gjithanshëm dhe i plotë. Por nga ana tjetër, sipas tij, është e domosdoshme që të merren masa të reja dhe të posaçme për mënjanimin e aksidenteve të tilla.
“Aksidenti është nën hetim dhe një hetim i plotë dhe i gjithanshëm duhet të behet. Është e parakohshme të flitet në mënyrë përfundimtare për shkakun e tij, por ajo që ka një rëndësi kapitale është që ministritë e linjës, ministria e brendshme, ministria e transportit, ministria e arsimit duhet të merren me të gjithë këtë problematikë. Ne kemi rregulla të caktuara për udhëtimin  e nxënësve, studentëve në dy e më shumë autobusë, por mendoj se është e domosdoshme që pas përfundimit të hetimeve të plota për këtë aksident, ndër më tragjikët në historinë e vendit, të nxirren të gjithë përfundimet, në mënyrë që transporti i organizuar nxënësve dhe studentëve  të ketë kushte dhe rregulla më të veçanta. Të përcaktohen qartë detyrimet e respektimit të tyre. Natyrisht ajo që ndodh nuk kthehet, por është detyrë e të gjithë institucioneve ta studiojnë rastin konkret që të mund të përcaktojnë kushte dhe rregulla që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre, kushte dhe rregulla komplekse”, tha kryeministri Berisha.
Në gjykimin e Kryeministrit, është detyrë e të gjitha institucioneve që ta studiojmë rastin konkret për të dhe hartuar rregulla që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre.
Sipas tij, ministritë dhe agjencitë duhet të marrim masat për parandalimin e të tilla aksidenteve.
“Duhet të bëjmë gjithçka që një seri rregullash dhe kushtesh për transportin e nxënësve dhe studentëve që të jene operative dhe te zbatueshme. Natyrisht fjalën për shkakun kryesor të këtij aksidenti do ta japi ekspertiza, prokuroria, policia rrugore dhe të gjithë ato institucione që po merren me hetimin e tij, por në këtë kontekst dhe më gjerë të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë duhet të shqyrtojnë për ndërmarrjen e çdo mundësie apo mase që do të ndikonte ne parandalimin e aksidenteve të këtij lloji”, deklaroi më tej kreu i ekzekutivit, Sali Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›