E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretër të rënë nga froni

Të gjykosh nga mobilimi, nuk të shkon kurrë ndër mend se gjendesh në zyrën ku bëheshin planet për të futur Rusinë në epokën moderne. Në dhomë të bien në sy mobiliet e rënda, të punuara me dru të errët. Libra antikë ekspozohen në rafte të qelqtë. Nga zyra e tij, Vladimir Jevtushenkov punon për të ulur varësinë e Rusisë nga lëndët e para të eksportit. Për të arritur këtë objektiv, kompania e tij, "Sitronics", ka ndërtuar në të dalë të Moskës një impiant prodhimi gjysmëpërçuesish, që mund të konsiderohet fjala e fundit e teknikës.

"Kjo është gjëja e fundit nga e cila do hiqja dorë", thotë Jevtushenkov. Nuk do që kompania e tij të kthehet në një prej simboleve të rënies së ekonomisë ruse. Pas dhjetë vitesh rritjeje euforike, shteti më i madh në botë rrezikohet nga kolapsi ekonomik.

Jevtushenkov e ka shtyrë larjen e borxheve të kompanisë dhe sapo ka marrë një hua të re prej 182 milionë eurosh nga banka shtetërore për zhvillim, "Vnesheconombank". Ato para do t‘i përdorë për të shlyer një pjesë të borxheve në një bankë gjermane, por tani ky është më i vogli ndër problemet që ka përpara. Gjatë një konference me investitorët, të zhvilluar së fundmi, të pranishëm qenë trefishi i pjesëmarrësve të zakonshëm, në ankth pasi "Sistema", kompania holding e biznesmenit (ku përfshihen firma ndërtimi, kompani telekomunikacionesh, linja veshjesh etj.), ka grumbulluar borxhin e frikshëm prej 7 miliardë dollarësh.

Jevtushenkov është pjesë e asaj klase super të pasurish, të cilët për cite me radhë zënë faqet e para të gazetave e revistave botërore, por që tani janë nën presione të forta. Fama e tyre botërore vjen pjesërisht prej sipërmarrjeve të tyre spektakolare. Vetëm dy vjet më parë, vetë Jevtushenkov u përpoq të blinte një buqetë aksionesh në gjigandin gjerman të telekomunikacionit, "Deutsche Telekom".

Për më tej, kur ka ardhur fjala te shpenzimet e tepruara, këta oligarkë kanë qenë në vijën e parë. Për shembull, bankieri dhe koleksionisti i veprave të artit, Pjotër Aven, e pajisi shtëpinë e Londrës me një bunker nuklear. Roman Abramoviç prej kohësh matet me princat arabë për jahtin më të gjatë. Ka investuar 600 milionë euro në skuadrën britanike të futbollit, Çelsi.

Por ditëve të bukura duket se u ka ardhur fundi. Revista amerikane "Forbes" vlerëson se vetëm 25 rusët më të pasur kanë humbur rreth 180 miliardë euro gjatë krizës aktuale. Totali i borxhit të marrë nga kompanitë dhe bankat e mëdha ruse mendohet t‘i kalojë 360 miliardë dollarët.

Tashmë kanë ardhur ditë të vështira për oligarkët rusë, të cilët i janë drejtuar qeverisë për ndihmë. "Do të isha kapiten i keq i kësaj industrie në rast se nuk do mbaja lidhje me qeverinë", thotë Jevtushenkov. "Gjërat janë njësoj edhe për Amerikën e Evropën".

Aktualisht po negocion shitjen e buqetës së aksioneve që zotëron në kompaninë e telekomunikacioneve "Svyazinvest". Blerës do të jetë shteti rus. Kjo lëvizje do të gjenerojë aq para, sa për të zbutur borxhet e kompanisë. Bankieri Pjotër Aven pati kënaqësinë së fundmi të fluturonte drejt Siberisë nën shoqërinë e Kryeministrit Vladimir Putin. Vetëm pak ditë më pas qeveria i dha hua 1.5 miliardë euro.

Është politika ajo që përcakton kush do të vazhdojë të luajë lojën gjigande të monopoleve dhe kush do të dalë nga skena. Mbretërit e djeshëm duket se janë të detyruar të lypin ndihmë. Cari i industrisë së aluminit, Oleg Deripaska, më i pasuri ndër ta, me një rrjet biznesesh që në total vlenin 23 miliardë dollarë, do të kishte falimentuar tashmë sikur shteti të mos i kishte huazuar 3.5 miliardë euro. Për të ndaluar blerjen e aksioneve të kompanive të panumërta të Deripaskës nga investues të huaj, Kremlini pranoi t‘i jepte hua, por me kusht që të vinte përfaqësuesit e vet në bordin mbikëqyrës. Tani shumë ekspertë tremben se shteti po kthehet në një super oligark që kthen në xhepat e vet një pjesë të mirë të atyre parave që u shpërndanë pas privatizimeve të viteve nëntëdhjetë.

Në atë epokë oligarkia mbështeste qeverinë e Jelcinit me miliarda rubla dhe në këmbim merrte segmente të tëra të industrisë së vendit - si edhe poste ministrore. Tani Kremlini e ka kthyer kokë së prapthi këtë proces. Pjesa më e madhe e industrisë së gazit dhe naftës qe vënë nën kontrollin e qeverisë përpara shpërthimit të krizës. Verën e këtij viti, Putin transformoi një agjenci për mbrojtjen e eksporteve në një shoqëri ku bëjnë pjesë 423 kompani. Entiteti i ri - i cili merr subvencione dhe në thelb vepron si një korporatë gjigande shtetërore - drejtohet nga Sergei Çemezov, njeri shumë i afërt i Putinit dhe koleg i tij në kohën kur Kryeministri aktual rus punonte për KGB-në në ish-Gjermaninë Lindore.

Megjithatë, Jevtushenkov beson se më vonë Kremlini do t‘ua kthejë privatëve kompanitë që ka shtënë në dorë kohët e fundit. "Kryeministri ynë i varfër, Vladimir Putin, është i detyruar ta përsërisë vazhdimisht këtë", thotë miliarderi. "Të gjithë e dimë që burokratët mbetet gjithsesi menaxherë të dobët korporatash".

Gjithsesi, një debat i ashpër po zhvillohet tashmë mes atyre që vënë theksin te ekonomia e tregut të lirë, në krye të të cilëve qëndron ministri i Financave, Aleksei Kudrin, dhe mbështetësve të politikës së shtetit me kontroll të fortë, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Igor Seçin. Rezultati i këtij debati do të mësohet vetëm me kalimin e kohës, por ajo që dihet me siguri është se shumë i druhen një fuqizimi të shtetit me këto përmasa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›