Mbrojtja e Veselit në Hagë, avokati Dixon: Prokuroria po “lufton me mullinj ere”, akuzat bazohen në prova inekzistente

Pas përfundimit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, radha i ka kaluar ekipit ligjor të Kadri Veselit për të paraqitur fjalën përfundimtare në Gjykatën Speciale. Rodney Dixon, avokati kryesor i Veselit, e nisi mbrojtjen me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj organit të akuzës, duke deklaruar se çështja kundër klientit të tij është ligjërisht e paqëndrueshme dhe pa prova.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Dixon argumentoi se Prokuroria (ZPS) ka dështuar të provojë përfshirjen e Veselit në ndonjë veprimtari kriminale.
“Prokuroria mund të argumentojë deri sa të vijë fundi i botës nëse dëshiron se kanë provat kundër Veselit, por kjo nuk ndryshon faktin që ju, të nderuar gjykatës, mund ta shihni tani se kjo është një çështje e dobët. Madje, bëhet fjalë për mosekzistencë të provave,” u shpreh Dixon.
Pesë vite hetime “të dëshpëruara”
Mbrojtja theksoi se gjatë pesë viteve që nga ngritja e aktakuzës, Prokuroria është përpjekur të gjejë lidhje aty ku nuk ka. Sipas Dixon, ZPS-ja ka ndjekur një pistë imagjinare.
“ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston. Janë përpjekur në mënyrë të dëshpëruar të kapen pas çdo fjale, duke shpresuar se diçka do të dalë në fund,” tha ai.
Për të ilustruar dobësinë e argumenteve të prokurorisë, avokati përdori metaforën e njohur donkishoteske.
“Kanë luftuar me çdo mulli ere përgjatë rrugës,” përfundoi Dixon, duke theksuar se akuzat janë beteja imagjinare të prokurorisë pa bazë në realitet.
/rtsh.al/