E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e konsumatorit, sfidë për sistemin, trajnim me avokatët në Shkodër për rritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit

Ndërgjegjësimi i qytetarëve për të drejtat e tyre si konsumatorë, si edhe njohuritë mbi sistemin ligjor, vijojnë të jenë në nivele të ulëta, duke përbërë një nga sfidat kryesore në Shqipëri.

Në këtë kuadër, në Shkodër u organizua një trajnim me pjesëmarrjen e avokatëve, i fokusuar në forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjen e kapaciteteve për trajtimin e ankesave dhe kërkesave për dëmshpërblim.

“Ajo që konstatohet në të gjitha takimet është që avokatët por dhe i tërë sistemi gjyqësor në tërësi nuk kanë informacion të plotë në lidhje me mbrojtjen e konsumatorit dhe me të drejtat e tyre”, u shpreh Ersida Teliti, Qendra e Konsumatorit Shqiptar.

Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Avokatisë në Shkodër, Anton Kosteri, thekson se mbrojtja e konsumatorit është një çështje që prek çdo qytetar. Ai pranon se edhe vetë avokatët e kanë përdorur rrallë këtë legjislacion.

“Është e rëndësishme që publiku të informohet për të drejtat e tij për tu ankuar në rastet e shkeljeve të ligjit”, tha Anton Kosteri, Kryetar i Dhomës së Avokatisë Shkodër.

Ekspertët e pranishëm në trajnim theksuan se rritja e informimit dhe ndërgjegjësimit mbetet thelbësore për fuqizimin e qytetarëve dhe garantimin e një mbrojtjeje më të mirë të të drejtave të tyre në treg.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›