Mbrojtja e parkut të Dajtit, dy pushtetet: Si të veprojmë
Parku Kombëtar i Dajtit, mbrojtja e tij nga zjarret, prerjet ilegale të pemëve dhe rimëkëmbja e plotë e tij, ka qenë tema e një diskutimi të hapur mes drejtuesve të administratës së këtij parku, përfaqësuesve të ministrisë së mjedisit, drejtorisë së pyjeve dhe kryepleqve të fshatrave të komunës Dajt, Zall-Her dhe Zall-Bastar.
Kryetari i Parkut Kombëtar të Dajtit, Lutfi Miftari, tha në fjalën e tij se bashkëpunimi me përfaqësues të pushtetit lokal për këtë pasuri natyrore duhet të jetë më i ngushtë dhe më i shpeshtë, për të eleminuar të gjitha rreziqet potenciale në këto pyje.
Kryetari i Komunës Zall-Bastar Rexhep Moqi e vlerësoi si pozitive këtë nismë bashkëpunimi , duke theksuar se komuna që ai drejton ka akorduar 10% të buxhetit vjetor për të gjelbëruar sipërfaqe më të mëdha me pyje
Pas ndarjes së propozimeve dhe shqetësimeve të disa kryepleqve në këtë zonë, përfaqësuesi i ministrisë së Mjedisit Admir Seci, tha në fjalën e tij, se të gjitha shqetësimet e banorëve janë të drejta dhe se do punohet më shumë përmes strategjive përkatëse që Ministria do të vërë në dispozicion eleminimin e rreziqeve që i kanosen këtyre pyjeve.
Në fund të këtij takimi kryepleqtë hodhën disa ide mbi privatizimin e hapësirave pyjore të Dajtit, pasi sipas tyre kjo do të përmirësonte ndjeshëm këtë zonë turistike.