Mbrojtja e të dhënave të klasifikuara, AKSIK kërkon fond shtesë për investime në rrjet

TIRANË, 18 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2026.
Drejtori i përgjithshëm i AKSIK, Altin Jani paraqiti para anëtarëve të këtij komisioni disa nga prioritetet kryesore që mbulon ky buxhet, duke u ndalur tek investimet në rrjet.
Ai kërkoi një shtesë fondi prej 3 milionë lekësh për investime në pajisjet elektronike të cilat sipas tij janë të amortizuara.
“AKSIK është autoritet përgjegjës për administrimin dhe ruajtjen e informacionit të klasifikuar, në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe dokumentin e politikës së sigurisë së NATO-s dhe BE-së. Në bashkëpunim me AKSHI-n është ngritur një grup pune për përmirësimin e rrjetit të brendshëm të AKSIK, i cili është rrjet i mbyllur i klasifikuar dhe aktualisht është 11 vite i vjetër”, shtoi Jani.
Ndërkohë deputetët e opozitës në komision shprehën shqetësimin për buxhetin e kufizuar të këtij institucioni me rëndësi kombëtare.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka evidentoi veçanërisht faktin se nga ky institucion janë pajisur me certifikata sigurie punonjës të strukturave të Policisë apo Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë rezultuar të lidhur me krimin.
Në këtë drejtim, Jani konfirmoi se në çdo rast kur është marrë informacion nga institucionet verifikuese, AKSIK ka bërë pezullimin e certifikatës së sigurisë deri edhe heqjen e plotë të saj.
Por, Jani shtoi se AKSIK bashkëvepron me institucionet e tjera verifikuese dhe janë ata që e informojnë.
I pyetur mbi daljen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dy vite më parë, Jani sqaroi se AKSIK nuk është institucion që merret me mbrojtjen e të dhënave personale dhe në asnjë rast nuk ka pasur ekspozim të informacionit të klasifikuar.
“Ne kemi rrjetin tonë të klasifikuar, i cili është rrjet i mbyllur që nuk ka lidhje me internetin. Kështu e kemi zgjidhur prej 15 vitesh dhe deri më sot nuk kemi pasur asnjë problem hakerimi”, shtoi Jani.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, foto: Andrin Hoxha 1 nga 8/r.e/