Greva e minatorëve në Spaç, Ibrahimaj: Drejt marrëveshjes në përputhje me ligjin

Sipas saj, mosmarrëveshjet për lidhjen e Kontratës Kolektive të Punës, u përshkallëzuan në nisjen e grevës nga rreth 40 punonjës të sektorit të nëntokës në datat 08-13 tetor 2025.
Ibrahimaj vuri në dukje se, braktisja e punës dhe nisja e grevës ndodhi para përfundimit të procesit të ndërmjetësimit, i cili është i detyrueshëm sipas Kodit të Punës, teksa theksoi se “ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për të lehtësuar dialogun ndërmjet palëve, duke organizuar disa takime ndërmjetësimi, përfshirë një takim trepalësh më 04.11.2025, ku morën pjesë edhe ekspertë ligjorë të KSSH”.Ajo u shpreh se për situatën e krijuar u kërkua edhe bashkëpunimi i ISHPSHSH-së, që nga monitorimi i kryer informoi se konflikti ka të bëjë me mosdakordësinë mbi dokumentacionin përfaqësues sindikal dhe procedurat për nisjen e negociatave dhe shpalljen e grevës.
“Nuk ka konstatime të shkeljeve konkrete të lirive sindikale nga punëdhënësi në këtë fazë. Greva nisi pa njoftim paraprak dhe aktiviteti në minierë vijon të jetë pjesërisht i ndërprerë, me vonesa teknike dhe rrezik për sigurinë në punë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj bëri të ditur se, në fillim të muajit nëntor ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë “TETE Albania Tunnel & Mining” SH.A për të prezantuan ofertën e tyre për zgjidhjen e konfliktit.
“Kam kërkuar organizimin e një takimi trepalësh për dialog. Ministria ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, duke siguruar proces të paanshëm, dialog social dhe monitorim të situatës”, tha ajo.
Ibrahimaj u shpreh se ISHPSHSH do të monitorojë grevën pas mbylljes, ndërsa legjislacioni parashikon mundësinë e shqyrtimit të çështjes edhe nga gjykata. Nga administratori i kompanisë u njoftua se disa punonjës kanë kërkuar rikthim në punë, me trajnimet që fillojnë më 14 dhe 17 nëntor.
Ministrja vuri në dukje se nga 14 nëntori, 15 punonjës kanë shprehur vullnetin për t’u rikthyer në minierë, ndërsa janë pranuar 8 punonjës në punë dhe kanë nisur trajnimet përkatëse për 7 punonjës të tjerë, për të cilët marrëdhënia e punës nis në 17 nëntor.
“MEI vijon të përgatisë një marrëveshje për zgjidhjen e situatës në përputhje me ligjin”, deklaroi Ibrahimaj.
Kryetarja e komisioni, deputetja e opozitës Jorida Tabaku, theksoi se e drejta e punës është kushtetuese dhe e pacenueshme. Ajo e cilësoi pushimin e 67 minatorëve në minierën e Spaçit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, duke shtuar se punonjësit duhej të kishin filluar punë që dje, ndërsa shumë prej tyre janë lënë pa punë dhe zëvendësuar. Tabaku kujtoi se Karta Sociale Evropiane dhe konventat ndërkombëtare garantojnë të drejtën kushtetuese për punën si pjesë të parimeve europiane dhe të drejtave të punonjësve. Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7/j.p/r.e/