Berisha: Themeluam foltoren e parë parlamentaro-qytetare

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se tubimi i zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, nuk ishte protestë, por një foltore.
Gjatë një konference për mediet nga selia blu, Berisha tha se dje u themelua foltorja e parë parlamentaro-qytetare.
“Dje PD nuk kishte thirrur miting. Kishte thirrur një foltore. Nuk ka qenë protestë kombëtare. Ka qenë thjeshtë një foltore dhe do të jetë thjesht një foltore parlamentaro-qytetare. Vijnë ata që duan të vijnë. Kjo është. Çdo interpretim tjetër është absolutisht jo real”, u shpreh kreu i PD-së.
“Ajo ka qëllim që deputetëve që u mbyllet mikrofoni në parlament, të vijnë të flasin para qytetarëve, shqiptarëve, para Kryeministrisë. Ajo ka qëllim që qytetarët, meqenëse deputetët nuk lejohen t’i paraqesin çështjet e tyre në parlament, të vijnë t’i paraqesin vetë, para Kryeministrisë. Pra, kjo foltore ka këto qëllime. Është foltore parlamentaro-qytetare”, tha Berisha.
Berisha theksoi se nëse foltorja e parë kishte qëllim ringritjen dhe shpëtimin e PD, kjo foltore synon të shpëtojë shoqërinë shqiptare, shqiptarët në tërësi.
“Ajo ishte themelimi i një foltoreje historike që do të vazhdojë pa ndërprerje”, tha ai.
Sipas Berishës, foltorja parlamentaro-qytetare do të sensibilizojë shqiptarët për realitetin shkatërrimtar për jetën e tyre dhe ftoi çdo demokrat “të shprehë mendimin lirshëm. Ne jemi parti e mendimit të lirë”.
Berisha tha se nuk thërrasin një protestë masive pasi PD do të angazhohet në një proces analize, ristrukturimi dhe hapje të saj, i cili është jetik.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se do të nisë takimet me demokratët nëpër Shqipëri.
/m.q/j.p/r.e/