E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja, reparti që vendos fatin e VllaznisëNë kampin shkodran nuk e shohin aspak punë të mbaruar kualifikimin. Beqiri: “Sligo luan një lojë të ashpër”. Belisha: “Shumë më e vështirë”

Vllaznia i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, kjo dhe falë fitores 2-1 në transfertën kundër Sligo Rovers (gol i Smajlajt dhe autogol i Kinit), njëhërësh edhe e katërta historike e klubit shkodran, por dhe e para e një klubi shqiptar në Ligën e Europës, duke u nisur nga fakti se Dinamo humbi thellësisht 4-1 me finlandezët e Lahtit.

Në kampin shkodran nuk e shohin punë të mbaruar kualifikimin, madje e konsiderojnë ndeshjen e kthimit akoma edhe më të vështirë, pasi nëse në takimin e parë dy skuadrat ishin të panjohura për njëra-tjetrën, tanimë e kanë një “fotografi” ndaj kundërshtarëve respektivë.

Statistikat e viteve të fundit i japin të drejtë Vllaznisë, pasi në tre edicionet e fundit, skuadra shkodrane e ka kaluar turin e parë kualifikues: 2004-2005, Kupa Intertoto (kundër izraelitëve të Hapoel Bear Shevës), 2007-2008, Kupa Intertoto (kundër kroatëve të Nk Zagreb) dhe në edicionin 2008-2009, Kupa UEFA (kundër sllovenëve të Koperit), ndërkohë që numri total i kualifikimeve të kuqebluve shkon në pesë, përfshirë ato në Kupën e Kampioneve (2001-2002) dhe Kupën e Kupave (1987-1988).

Mesfushori Amarildo Belisha, një nga lojtaret kyç të Vllaznisë, e vlerësoi kundërshtarin, që sipas 28-vjeçarit, “ka lojtarë mjaft të mirë, të cilët luajnë fort për topin e parë”. “Do të jetë një punë e vështirë, - tha ai për mediat sportive. “Mundësitë tona janë reale, por nuk duhet ta bëjmë punë të kryer”.

Në fakt, irlandezja Sligo Rovers e drejtuar nga Pol Kuk, ka në gjirin e saj disa lojtarë anglezë. Të dielën e kaluar, Sligo Rovers barazoi në shtëpi 2-2 me Drogedën (golat nga Kretaro dhe O’Grady).
Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, do të ketë në dispozicion për ndeshjen e kthimit mbrojtësin kroat Marko Bashiç, një kartë më shumë në duart e teknikut, sidomos në vijën mbrojtëse, ku shkodranëve nuk u lejohet të pësojnë më shumë se një gol.

Mbrojtësi i njohur Elvin Beqiri, thotë: “Shumëkush e quan të lehtë ndeshjen e kthimit, por kundërshtari ynë luante një lojë të ashpër dhe të fortë. Tani na duhet ta administrojmë rezultatin”.

Ndeshja e kthimit, Vllaznia-Sligo Rovers (20:00), do të gjykohet nga “xhaketa të zeza” malteze të kryesuar nga Marko Borg (ndihmës të tij janë Ingmar Spiteri dhe Mariano Debono). Në rast se Vllaznia do të kualifikohet për në turin e dytë, atëherë do të përballet me austriakët e Rapidit të Vjenës, të drejtuar nga Peter Pakult, një ish-kandidat për stolin e Kombëtares shqiptare.

4
fitore ka arritur jashtë fushe Vllaznia. Fitorja e parë e Vllaznisë rezulton ajo e Kupës së Kupave ndaj maltezëve të Sliema Vanderers (0-4). Dy fitoret e tjera të kuqebluve në transfertat evropiane janë ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Sheva (0-3, rezultat tavoline) në Kupën Intertoto 2004 dhe ndaj sllovenëve të FC Koper (1-2) vitin e kaluar në Kupën UEFA.
 

LIGA E EUROPËS
Turi i parë kualifikues
NDESHJA E PARË
2 korrik 2009

Sligo-Vllaznia 1-2
Shënues: Kretaro 89’ (p)/ Smajlaj 69’, Kean 75’ (autogol)

NDESHJA E DYTË
9 korrik 2009
Vllaznia-Sligo (20:00)

SI KUALIFIKOHET
VLLAZNIA

Skuadra shkodrane kualifikohet me irlandezët e Sligo Rovers me çdo lloj fitoreje dhe barazimi në “Loro Boriçi”, por dhe me një humbje minimale 0-1. Nëse humbet 1-2, ndeshja shkon në shtesa. Nëse humbet 2-3, kualifikohet Sligo Rovers.

E Merkure, 08 Korrik 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›