Vangjeli rinovon me Arisin për 750 mijë euroKontrata: 250 mijë euro në sezon dhe garanci për aktivizimin. Vlerësimi: Presidenti i klubit e cilëson si “flamurin” e ekipit

JORGIS MEMO- Nuk ka më dyshime për të ardhmen e Kristi Vangjelit, sepse ai do të jetë përsëri pjesë e Arisit të Selanikut, aty ku ka lidhur karrierën e tij. Mbrojtësi i Kombëtares ka rinovuar kontratën edhe për tre vite të tjera, teksa do të marrë 250 mijë euro në sezon. Për “Panorama Sport”, lajmin e konfirmon vetë lojtari. “Sot (dje) në drekë nënshkruajta edhe për tri vite të tjera me skuadrën e zemrës, Arisin. Jam shumë i lumtur që rinovojë këtë kontratë,”- tregon Vangjeli, i cili më pas flet edhe për detajet e kësaj marrëveshjeje, që më parë, shanset më të mëdha i kishte të mos arrihej. “Presidenti i klubit, Thanasis Athanasiadhis, më telefonoi në mëngjes dhe pas një bisede të shkurtër, u tregua i gatshëm që të më plotësojë të gjitha dëshirat e mia. Unë nuk doja të largohesha nga Arisi. Jam vetë tifoz i këtij ekipi dhe ambienti këtu në Selanik, kërkonte që unë të qëndroja. U emocionova, kur mësova se në stërvitjen e parë të ekipit, tifozët kishin thirrur emrin tim. Jam lojtari më i vjetër në skuadër. Kam 12 vjet te Arisi, teksa në 10 sezonet e fundit aktivizohem në ekipin e parë, ndërsa dy të tjerat, kam qenë pjesë e skuadrës së dytë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, mora edhe garanci për aktivizmin, që ishte gjëja më kryesore për mua. Jam i lumtur për këtë, sepse edhe presidenti më vlerësoi shumë, duke më quajtur si “flamuri” i ekipit. E falëndëroj atë dhe trajnerin Mazinjo, për besimin që më dhanë,”- ka thënë 24-vjeçari, i cili dje bëri prezantimin e tij edhe para mediave greke, i shoqëruar nga numri një i klubit selanikas.
Kushti dhe kartoni
2 milionë euro
Për rinovimin e kontratës, Arisi i ka vënë si kusht kryesor mbrojtësit të Kombëtares, çmimin e kartonit, në rast shitjeje. Sipas Vangjelit, nëse një klub që kërkon shërbimet e tij, duhet të derdhë tek Arisi një shumë prej 2 milionë eurosh. “Fillimisht nuk e pranova këtë opsion të klubit, por më pas i thashë “po”. Nuk u mendova gjatë, sepse jam i dashuruar me Arisin dhe duke parë që klubi bëri një farë autokritike kundrejt qëndrimit ndaj meje, firmosa menjëherë. Tani do të përkushtohem shumë për të dhënë gjithçka me këtë. Shpresoj të arrijmë suksese dhe të kënaqim tifozët e mrekullueshëm të Arisit,”- përfundoi korçari.
E Merkure, 08 Korrik 2009