"Mbrojtje pavarësisë së institucioneve"
Opozita do të vazhdoj misionin e saj të luftës parlamentare në mbrojtje të demokracisë dhe pavarësisë së institucioneve. Ky ka qënë mendimi që ka mbizotëruar dje gjatë tryezës së parë opozitare për këtë vit, ku përveç partive të majta ka marrë pjesë edhe Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut të Vangjel Dules. Krerët opozitar kanë qenë pothuajse në një zë kundër ultimatimatumit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për largim me çdo kusht të kryeministrit Berisha, duke aplikuar nëse do të ishte nevoja edhe bojkotin e Kuvendit, ndërkohë që kanë vlerësuar se koordinimi opozitar mbetet jetik për ruajtjen e pavarsisë së drejtësisë dhe garantimin e standardeve të sigurisë në vend.
Takimi
Pozitivë. Kështu e kanë cilësuar pothuajse të gjithë krerët e opozitës takimin e parë midis tyre pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh, pavarësisht se nuk kanë mundur që të përfarojnë qëndrimet për një sërë çështjesh që lidhen kryesisht me garantimin e sigurisë dhe drejtësisë. Pasojat e ndërprerjes së marrëdhënieve mes këtyre forcave për një kohë të gjatë janë reflektuar edhe gjatë bisedës së sotshme, ku janë vënë re qëndrime deri diku diametralisht të kundërta, sidomos mes kreut të PS-së Edi Rama dhe homologut të tij të LSI-së Ilir Meta. Mënyra e largimit të kryeministrit Berisha dhe projektligji për Prokurorinë kanë qenë dy çështjet për të cilat dy aleatët kanë patur dallime thelbësore në qëndrimet e tyre. Ndërsa Meta ka vendosur si kusht për vijimin e komunikimit nderopozitar largimin me çdo mjet të kryeministrit Berisha, qoftë edhe nëpërmjet ndërprerjes së marrëdhënieve institucionale me Kuvendin, kryesocialisti Rama megjithëse ka vlerësuar si thelbësore largimin e tij, ka theksuar se kjo nuk mund të jetë një qëllim në vetevete. Siç mësohet nga burime pranë këtij takimi, kreu socialistë ka theksuar se e rëndësishme për momentin është mbrojtja nga opozita e institucioneve të drejtësisë nëpërmjet një organizimi dhe koordinimi më të mirë midis partive që e përbëjnë këtë spektër për të detyruar mazhorancën që të heqë dorë nga kapja e këtyre institucioneve, qëndrim për të cilin Rama mësohet të ketë marrë edhe mbështjen e aleatëve të tjerë. Ndërkohë një çështje tjetër për të cilën nuk është gjendur gjuha e përbashkët ka qenë edhe projektligji për organin e akuzës. Edhe për këtë çështje PS ka këmbëngulur në kërkesën e saj drejtuar edhe mazhorancës për të ribërë nga e para një projektligj të ri që të garantoj pavarësinë e punës së tij, ndërsa LSI ka vlerësuar se projekti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për të qenë i pranueshëm do ti mjaftonin vetëm disa amendime, ku të përcaktohej kryesisht mandati i kryeprokurores.
VendimetPavarësisht dallimeve që janë vërejtur gjatë bisedës, tryeza e opozitës, pa përjashtuar as LSI-në e cila në pjesën më të madhe të mbledhjes është përfaqësuar vetëm nga kryetari i grupit Pëllumb Xhufi (Meta është larguar i pari nga takimi për shkak të një problemi familjar), ka arritur që të konkludoj në disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me vijueshmërinë e komunikimit nderopozitar. Një nder vendimet kryesore të kësaj tryeze ishte institucionalizimi i bashkëpunimit të mëtejshëm midis grupeve parlamentare të opozitës për të gjitha çështjet madhore që do të diskutohen në Kuvend dhe që kanë lidhje kryesisht me sigurinë dhe drejtësinë ne vend. Gjithashtu krerët e partive pjesëmarrëse kanë rënë dakord që të mbështesin protestën e ditës së nesërme për cënimin e drejtësisë dhe sigurisë. Ndërkohë që është lënë i hapur edhe mundësia e ndërmarrjes së një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Sali Berisha. Për këtë çështje është lënë që të merret një vendim i mëvonshëm kryesisht nga krerët e grupeve parlamentare. Në rast se një mocion i tillë do të ketë sukses, atëherë opozita nuk do të kërkoj zgjedhje të parakohshme, por një qeveri teknike që mund të garantoj zgjedhjet e lira dhe të ndershme.