E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mbroni shpellarin" në TK

Regjisori Spiro Duni këtë fundjavë i prezantohet spektatorit edhe si aktor. Më 7 dhe 8 mars në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar shfaq monodramën "Mbroni shpellarin" (Defending the Caveman) të autorit amerikan Rob Becker. Në këtë pjesë ai interpreton së bashku me muzikantin Gent Rushi.

Sot në orën 11:00 po në këtë sallë, kompania që realizon komedinë, Studio e Tetarit "Po" jep një konferencë për shtyp.


"Mbroni shpellarin" është një përzierje e komedisë, letërsisë dhe terapisë psikologjike që përpiqet të zgjidhë luftën midis sekseve. Pjesa anon më shumë nga ana e grave, por njëkohësisht nuk e humbet simpatinë ndaj pjesës mashkullore. Komedia është shkruar në vitin 2000 dhe që prej asaj kohe është vënë në shumë skena të botës nga teatri amerikan "Mogul".

Aktori dhe në këtë rast autori, Becker e përcakton veprën si një vend që tregon se edhe "meshkujt kanë emocione, por i shprehin ndryshe". Skenografia dhe kostumet e versionit shqiptar janë realizuar nga Fatbardh Marku.

Fondacioni Grek i kulturës nis punën me një koncert


Fondacioni Grek i kulturës në Tiranë prezanton sot në orën 19:00 në Akademinë e Arteve një koncert me trupën muzikore "Argo". Në program do të ketë pjesë nga Minga, Ravel dhe Konstandinidhi. Koncerti shoqërohet nga kori i nxënësve të kolegjit Greko-Shqiptar "Arsakeio" e Tiranës. Mbrëmja koncertore shënon fillimin zyrtar të punës së këtij fondacioni në Tiranë.


Ekspozita e foto lajmit në GKA


Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) prezantojnë më 10 mars ekspozitën me foto lajmesh "Shqipëria dhe Bota në 2008". Ekspozita çelet në orën 18:00 në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe qëndron e hapur vetëm një ditë. Ky aktivitet realizohet nën kujdesin e Ambasadores së Republikës së Francës, Maryse Daviet.


Akademia e Arteve fillon stinën koncertore të pranverës


Koncertin e parë për Stinën Muzikore të Pranverës 2009 në Akademinë e Arteve e hap orkestra e veglave frymore "Big Band". Më 10 mars në orën 19:00. Studentë të të katër viteve interpretojnë pjesët "Hello" Roland Cardon, "Hello MR. Conniff" Jo Brik-Pol, "Hello Dolly" George German, "Etyd" Fatos Qerimaj, "Martinique", Sammy Nestico, "Mambo", Leonard Bernestein. Pjesë e repertorit është edhe kompozitori Nicola Paganini. Në pjesën e përzgjedhur studentët shoqërohen nga Miron Peku (violinë), Genti Rushi (piano), Brikel Gunga (sax) dhe Angjelin Toma (kontrabas).

"Dita e shtatë" në Marubi


Filmi "Dita e shtatë"( El Septimo dia) i regjisorit spanjoll Carlos Saura shfaqet sot në orën 19:00 në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi". Në këtë film, prodhim të vitit 2004 Saura tregon një pjesë të errët të historisë së Spanjës, të dekadës së fundit të shekullit XX. Drama tregon se çfarë ndodhi në fshatin spanjoll Puerto Urraco gjatë verës së vitit 1990. Filmi është i mbushur me xhelozi, zili, luftë për tokë, gjithçka përfundon në një fund të përgjakur. Aktorët që interpretojnë janë Juan Diego, José Luis Gómez, José Garcia, Victoria Abril, Yohana Cobo, Eulalia Ramón, Ramon Fontserè etj. Filmi zgjat 104 minuta, është në gjuhën spanjolle dhe shoqërohet me titra në gjuhën angleze.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›