E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avioni me 130 shqiptarë bllokohet në Paris

Një defekt i zbuluar përpara nisjes në turbinat e aeroplanit ka detyruar autoritetet të bllokojnë fluturimin

Pasagjerët janë detyruar të presin në tranzit, ndërsa specialistët nisën riparimin e llamarinës që mund të krijonte probleme në fluturim

TIRANE- Një avion i një shoqërie ajrore Shqiptare është bllokuar nga autoritetet franceze në aeroportin e Parisit "Sharl De Gol", me rreth 130 pasagjerë, ndërsa përgatitej të nisej në drejtim të vendit tonë.

Shkaku i bllokimit të avionit të marrë me qera në Afrikën e Jugut, mësohet se është bërë një defekt teknik që është vënë re në aeroportin francez nga specialistët e inspektimit përpara se avioni i një shoqërie ajrore shqiptare të nisej nga Parisi në drejtim të Shqipërisë.

Ndërkaq pasagjerët që kishin prenotuar këtë avion, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në tranzitin e aeroportit të kryeqytetit francez, duke qenë se kishin kaluar pikën kufitare. Lajmi i bllokimit të avionit shqiptar në aeroportin e Rinasit është konfirmuar për "Shekullin", nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Shqipërisë, (DPAC) Feliks Baçi, gjatë një komunikimi telefonik me të.

Pas defektit të vënë re, kanë mbërritur në vendin ku ndodhej avioni, specialistët e kompanisë amerikane "Boeing", të cilët ishin edhe specialistët e autorizuar sipas një kontrate që duhej të kryenin riparimet e defekteve që mund të konstatoheshin në avionin e marrë me qera nga shoqëria Shqiptare në Afrikën e Jugut. Ndërkaq Feliks Baçi, pohoi se avioni i bllokuar me një kapacitet prej rreth 154 vende pasagjerësh në bord, që duhej të ndiqte linjën ajrore të fluturimit Paris- Tiranë.

Gjatë kontrollit teknik në aeroport, sipas standardeve të reja SAFA, të adaptuara nga BE-ja, inspektorët e aeroportit, kanë gjetur një dëmtim në pjesën e një turbine të një prej motorëve. Sipas të njëjtit burim, llamarina e motorit ishte e shtrembëruar.

Menjëherë pas konstatimit të këtij dëmtimi në dukje jo shumë serioz autoritetet e aeroportit të Parisit, kanë vendosur bllokimin e fluturimit të këtij avioni me pasagjerë. Sipas nëndrejtorit të DPAC- së Baçi, fluturimi është bllokuar gjatë kontrollit rutinë, me një dëmtim të tillë nuk mund të fluturonte me pasagjerë.


Por vetëm bosh. Defekti nuk është cilësuar i rëndë, por burimet kanë pohuar se sipas rregullave të reja, edhe një defekt i tillë mund të bëhet rrezik për jetën e pasagjerëve.
Pas dëmtimit të konstatuar nga autoritetet e aeroportit, janë njoftuar pilotët dhe përfaqësuesit e shoqërisë shqiptare të cilët kanë nisur menjëherë punën për riparimin e dëmtimit të shkaktuar.

Sipas burimeve të Aviacionit Civil, riparimi ka nisur nga kompania e kontraktuar për problemet teknike që mund të viheshin re në këtë mjet fluturues. Specialistët mësohet se kanë nisur punën gjatë ditës së djeshme, për këtë qëllim.

Mësohet se deri dje në mbrëmje vonë, aeroplani qëndronte i bllokuar në një pjesë të pistës së "Sharl De Gol", e parashikuar për riparime defektesh. Ndërkaq pasagjerët kanë vijuar të presin në tranzit. Autoritetet e Aviacionit Civil, pohuan mbrëmë për "Shekullin", se kishin marrë kontakte me autoritetet përkatëse për t'u interesuar për riparimin e defektit dhe nisjen sa më shpejt të pasagjerëve.

Më pas mund të shihet mundësia e marrjes së masave ndaj kompanisë që kishte vendosur të fluturonte me një defekt të tillë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›