Skandali, Mustafaj: Berisha të ndryshojë qeverinë
Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, kërkon riformatim të qeverisë, me qëllim përmirësimin e imazhit të PD-së
TIRANË- Skandali seksual që përfshiu ish-ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka nxitur deputetin e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, që t'i kërkojë publikisht Kryeministrit Sali Berisha, të bëjë ndryshime të thella në qeveri. Ishte një ngjarje e shëmtuar, sipas Mustafajt, duke lënë të kuptohet qartë në deklaratën e tij, se imazhi i Partisë Demokratike, kësaj here, ka rënë mjaft.
Ndaj, deputeti i Partisë Demokratike, i vetmi që foli publikisht dje mbi pasojat, ka kërkuar riformatim të ekipit qeverisës, me qëllim fitoren e së djathtës në zgjedhjet 28 qershorit. "Natyrisht që kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme për të gjithë. Por, do të doja të tërhiqja vëmendjen e Berishës në një aspekt tjetër:
Është në të drejtën e tij kushtetuese dhe detyrimin politik si kryetar i qeverisë, të përfitojë nga ky rast për të bërë një operacion të thellë në qeveri, në mënyrë që të shfaqë para shqiptarëve ekipin e ri fitues për zgjedhjet e ardhshme, që do të jetë ekipi që do të udhëheqë shqiptarët në katër vitet e ardhshme.
Kjo është mënyra e vetme për të përmirësuar imazhin, duke treguar se Partia Demokratike ka energji të mëdha qeverisëse dhe është e aftë të çojë deri në fund reformat e modernizimit të Shqipërisë",- tha dje Mustafaj, i pyetur nga mediat për skandalin "Pango".
Përpos qëndrimit publik të shprehur nga Mustafaj, shumica e deputetëve demokratë nuk kanë pranuar dje të komentojnë konkretisht pasojat që vijnë brenda së djathtës si pasojë e këtij skandali.
Shumica prej tyre (përfshi këtu edhe deklaratën e ashpër të Kryetares së Kuvendit) kanë dënuar veprimin në fjalë, por në të njëjtën kohë e kanë cilësuar kapitull të mbyllur, pas shkarkimit nga ana e Kryeministrit Berisha.
Dy net më parë, pas publikimit të videos nga emisioni Fiks Fare, Kryeministri Berisha shkarkoi ministrin e Kulturës Ylli Pango, të cilin ai personalisht dy vjet më parë e kishte emëruar në këtë post. Përpos kësaj lëvizjeje (të Berishës) aspak surprizë, asgjë tjetër nuk ka ndodhur dje në kampin blu.