E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbush 10 vjet

Vetura e blinduar, nën përcjelljen e forcave të armatosura të KFOR-it, në nëntor të vitit 1999 kishte sjellë në ndërtesën që deri para një viti ka qenë selia e UNMIK-ut, njeriun që do të menaxhonte paratë e kosovarëve. Dy zyra, njëra e drejtorit me një plan të Fondit Monetar Ndërkombëtar në tavolinë dhe një e administratës, ishin rezervuar për vënien e themeleve të para të Bankës për Pagesa të Kosovës, tash Bankës Qendrore të Kosovës.

Dhjetë vjet pas, Nicholas Brentnall, drejtori i parë menaxhues i këtij institucioni, tregon se vendi në të cilën kishte nisur punën me përcjellje ushtarake, tani ka ndërtuar një sistem bankar për tia pasur lakmi. Ai thotë se objekti i sotëm i BQK-së menjëherë pas luftës, më shumë i ka ngjarë një kazerme ushtarake sesa një institucioni ku kryhen shërbime bankare.

Nuk kishim rrymë, ujë dhe ngrohje. Paratë i mblidhnim me eskorta të KFOR-it dhe një nga një i numëronim me dorë, tregon Brentnall për kushtet në të cilat ka funksionuar ky institucion.

Që nga ajo kohë, ai kishte ruajtur edhe flamurin me logon e parë të BPK-së, të cilin ia dorëzoi kryesuesit të tanishëm të Bordit të guvernatorëve të Bankës Qendrore, Gazmend Lubotenit, në dhjetëvjetorin e formimit të këtij institucioni.

Ky i fundit ndihet krenar se sektori bankar i prirë nga BQK-ja, është një promotor në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pohuar se ky institucion prej themelimit e deri tani ka qenë partner i rëndësishëm në realizimin e një politike fiskale dhe financiare me ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ajo çka tani është e nevojshme, është që të hapen mundësi të reja, për një treg bankar me norma interesi më të ulëta, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë më shumë, ka thënë Sejdiu.

Me fjalë miradije krenohej përfaqësuesi i parë i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ake Lonnberg, që bashkë me këshilltarët kosovarë dhe ndërkombëtarë kishin hartuar planin për ndërtimin e sistemit fiskal në Kosovë. Sidomos kur, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmendte anëtarësimin e Kosovës në FMN.

Me politikat financiare që kemi aplikuar janë krijuar kushte të volitshme për një treg të lirë financiar dhe treg konkurrues dhe Kosova sot është anëtare në FMN dhe Bankën Botërore, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq, guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, në këtë dhjetëvjetor ka kujtuar se ka pasur mjaft momente kthesash të rëndësishme, të cilat kanë përcaktuar rrugën e zhvillimit te Bankës Qendrore dhe të sistemit financiar të Kosovës.

Shumë vendime të rëndësishme janë marrë gjatë dhjetë viteve të fundit, krijimi i strukturave qeverisëse të Bankës Qendrore, furnizimi me para të gatshme, krijimi i bazës së një sektori financiar modern, e deri te fillimi i negociatave që Kosova të bëhet anëtare e institucioneve financiare ndërkombëtare, ka thënë Rexhepi.

Derisa në vitin 2000 ishte licencuar banka e parë në Kosovë, MEB, tani në këtë treg operojnë 8 banka komerciale, 11 kompani të sigurimeve, 2 fonde pensionale, 19 institucione mikro-financiare, 21 zyra të këmbimit valutor dhe 5 agjenci për transferim të parave.

Rexhepi pranon se krahasuar me mesataret në rajon, sektori financiar i Kosovës akoma është më i vogli, por, megjithatë, ngadalë dhe në mënyrë të sigurt është duke tejkaluar hendekun edhe në nivelin e zhvillimit të sektorit financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›