E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti takon sindikalistët e Qarkut Dibër, premton zgjidhjen e problemeve



Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, zhvilloi dje një takim me sindikalistë dhe punëtorë të Konfederatës së Qarkut Dibër, përfaqësuar nga z. Petrit Frangu, si dhe nga kryetari i Konfederatës Sindikaliste të Uzinës së Ferro-Kromit Burrel, z. Arben Mali. Ata i paraqiten ministrit problemet shumëvjeçare të koncesionit që vepron në bazë të ligjit 8791, datë 10.05.2001 për Uzinën e Ferro-Kromit Burrel, minierës së Bulqizë, Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, si dhe impiantit të seleksionimit Klos, duke e quajtur këtë koncesion të dështuar në vite. Ndryshimet e herëpashershme të kontratave nënkoncesionare kanë dhënë rezultate vetëm negative. Akoma problemet e trashëguara nga këta nënkoncesionarë vazhdojnë sot e kësaj dite duke krijuar vështirësi të mëdha financiare, duke qenë akoma debitorë ndaj subjekteve private dhe shtetërore që operojnë në Qarkun e Dibrës. Gjithashtu ata vunë në dijeni ministrin dhe për shumë raste korruptive në lidhje me këto kontrata nënkoncesionare dhe i kërkuan ministrit Prifti vënien në punë të uzinës sa më parë. Ministri Prifti informoi sindikalistët se ka filluar procedura për heqjen e koncesioneve të shoqërisë ACR (ish-Darfo), duke pasur parasysh që asnjë nga kriteret e kontratës koncesionare për rreth 7 vjet nuk është plotësuar. Ministri vlerësoi këtë koncension të dështuar dhe premtoi se gjëra të kësaj natyre nuk do të ndodhin më. Uzina e Ferro-Kromit Burrel dhe Miniera e Bulqizës janë punëdhënës shumë të rëndësishëm në Qarkun e Dibrës, me rreth 1000 vetë të punësuar.

Duke qenë se kryefjala e programit të qeverisë është punësimi, nuk do të lejohet që dështime të tilla të shkaktojnë akoma probleme sociale dhe papunësie, të cilat ulin standardet e jetesës së banorëve të Qarkut Dibër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›