E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Ulja e normës së interesit do lehtësojë kreditimin



Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit me 0.5 për qind është vlerësuar nga komuniteti i biznesit, ndonëse është konsideruar si një vendim i vonuar. Biznesi prodhues, duke përshëndetur vendimin e BSH-së, është në pritje që bankat e nivelit të dytë ta reflektojnë atë në lehtësimin e kreditimit për sipërmarrjet dhe industrinë e prodhimit në vend, si dhe gjithë komunitetin e gjerë të biznesit. Konfindustria bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për median se mbështet në parim vendimin e Bankës Qendrore për uljen e normës bazë të interesit me 0.5%, për të kaluar në 5.25%, megjithëse e vlerëson krahasimisht të vonuar në kohë. Konfindustria kërkon marrjen e veprimeve shoqëruese të nevojshme, me qëllim që të kemi përcjellje të rrjedhojave të vendimit në lehtësimin e prekshëm të kredidhënies për biznesin dhe qytetarët. Biznesi prodhues kërkon njëkohësisht nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga institucionet shtetërore financiare t’i kushtojnë rëndësi parësore edhe shmangies të rrjedhojave negative, që mund të vijnë nga vendimi për uljen e normës bazë të interesit. Sipas Konfindustrisë, Banka e Shqipërisë duhet të marrë masa për ruajtur zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare nga veprimet spekulative me motiv psikologjik në tregun e parasë, si dhe nga ndërhyrjet e gabuara dhe të panevojshme të politikës ndaj vlerës së monedhës kombëtare. Bazuar në të dhënat zyrtare, leku është zhvleftësuar në mbi 13 %. Po kështu, një efekt tjetër negativ që mund të japë ndryshimi i normës së interesit dhe për të cilin përsëri Banka e Shqipërisë duhet të bëjë kujdes, është keqësimi i mëtejshëm i cilësisë së portofolit të kredive, që edhe në kushtet e tashmë ku mbi 16 % zënë kreditë e këqija, është rrezik i prekshëm për stabilitetin e sistemit bankar në vend. Domosdoshmëri mbetet përmirësimi urgjent i cilësisë së menaxhimit nga bankat e nivelit të dytë, deri më sot në shkallë të ulët dhe të papranueshme. Konfindustria vlerëson se shenjat e përmirësimit të ekonomisë botërore dhe qëndrueshmëria relative e sistemit bankar dhe ekonomisë shqiptare, përligjin në thelb uljen e normës bazë të interesit. Dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit të lekut. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës përkthehet në një stimul për zhvillimin e ekonominë shqiptare, pasi tenton të nxisë huamarrjen nëpërmjet uljes së kostos së financimit. Nga ana tjetër, Guvernatori Fullani ftoi bankat e nivelit të dytë ta reflektojnë këtë vendim në aktivitetin e tyre, duke ulur interesat e kreditimit. Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës erdhi në këtë vendim, pasi analizoi në detaje zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare në vend, projeksionet makroekonomike, si dhe balancën e rreziqeve për muajt në vazhdim dhe vendosi të ulë me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se tremujori i tretë i vitit 2009 është karakterizuar nga shenja pozitive në ekonomi dhe në tregjet financiare shqiptare të vendit. Fullani tha se perspektiva afatgjatë e zhvillimit të ekonomisë shqiptare mbetet pozitive. Sipas tij, qëndrueshmëria makroekonomike dhe besimi mbi sistemin financiar shqiptar, para së gjithash janë rrjedhojë e politikave tona të përgjegjshme makroekonomike dhe financiare të ndërmarra në vazhdimësi këto vitet e fundit. Stabiliteti makrofinanciar është një pikënisje e mirë për nxitjen e zhvillimit të vendit në periudhën e ardhshme. Duke argumentuar se në një masë të madhe, ky zhvillim do të varet nga aftësia e ekonomisë shqiptare për të tërhequr fonde, të cilat do të mbështesin rritjen e saj. Ai tha se ky vendim përbën një stimul të ri për zhvillimet ekonomike në vend, duke synuar një ulje të mëtejshme të kostos së financimit të ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›