Mbushet arka e shtetit, krijohet mundësia për të mbështetur më të prekurit nga rritja e çmimeve

Për gjashtë muajt e parë të vitit buxheti i shteti ka grumbulluar më shumë të ardhura në krahasim me planifikimin 6 mujor. Në raport me një vit më parë, buxheti ka shënuar rreth 370 milionë euro më shumë. Po cilët faktorë kanë ndikuar në këtë realizim të ardhurash?
Ekonomia ka vijuar të shënojë tregues në rritje, edhe pse të reduktuara nga parashikimet shqiptare dhe ato të institucioneve ndërkombëtare që mbikqyrin këtë ekonomi.
Ka rritje në volum të importeve, që tregon se bizneset nuk e kanë ndaluar veprimtarinë e tyre edhe në kushtet e vështira të krizës së luftës Rusi-Ukrainë. Është rritur me më shumë se një të katërtën tatimi mbi vlerën e shtuar i paguar në doganë, pra TVSH në import, që tregon këtë tendencë. Buxheti ka marrë 5,2 miliardë lekë për 6 muaj vetëm nga rritja e çmimeve të importit.
Në kundërshti me këtë tregues në doganë, Autoriteti Tatimor nuk ka arritur të arkëtojë më shumë të ardhura nga shitjet e prodhimeve dhe shërbimeve brenda vendit. Ky tregues nuk është realizuar me rreth 270 milionë lekë, duke treguar se administrimit tatimor nuk ka arritur ende të sigurojë të ardhurat fiskale të planifikuara për periudhën e raportuar. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), edhe pse ishin 7.1 miliardë lekë më shumë se 6 mujori 2021, ishin më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 6 mujorin 2022.
Ministria e Financave pohon se çmimet e larta ndikuan pozitivisht në arkëtimin e më shumë taksave në buxhet dhe se të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare ishte 18.3 miliardë lekë më shumë me bazë vjetore në 6-mujorin e parë, duke ndikuar në 40% të shtesës totale.
Janë më shumë se 16 miliardë lekë apo rreth 136 milionë euro që janë të gatshme të përdoren aty ku i nevojiten më shumë qeverisë. Autoritetet kanë deklaruar se po punojnë për të rishikuar buxhetit e vitit 2022 nëpërmjet një akti të ri normativ, duke krijuar mundësinë edhe për të mbështetur me të ardhura shtesë sidomos shtresat në nevojë, pensionistët dhe familjet me të ardhura të pakta, të cilave ia ka përfunduar në 30 qershor mbështetja qeveritare.
Në tre muajt e parë të vitit, qeveria përdori rreth 6,8 miliardë lekë apo rreth 58 milionë Euro për të mbështetur këto kategori. Treguesit e 6 mujorit japin garanci për një paketë të re, më të lartë në vlerë, se ajo e fillimvitit për të mbështetur pensionistët dhe familjet në nevojë.
Paketa e parë e Rezistencës Sociale shpenzoi 28,6 miliardë lekë ose rreth 250 milionë Euro për të mbështetur shtresat në nevojë, shërbimin urban, naftën e fermerëve dhe sidomos financimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
/rtsh/