E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen dëshmitë e VIP-ve, tani radha e qytetarëve-dëshmitarë

TIRANË- Puna e Komisionit hetimor parlamentar, ku marrin pjesë vetëm gjashtë deputetët e Partisë Demokratike, po shkon drejt fundit. Kjo është paralajmëruar dje që në fillim të mbledhjes edhe nga kryetari i Komisionit parlamentar, Eduard Halimi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbylli dje siparin e titullarëve të institucioneve që ishin thirrur për të dëshmuar apo për të dhënë të dhëna, informacione dhe dokumente zyrtare, lidhur me ngjarjen e dhunshme te 21 Janarit para Kryeministrisë. Në pikëpyetje mbetet dëshmia e kryetarit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, i cili ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u paraqitur në këtë komision, porse ai do të thirret vetëm nëse do të konsiderohet e nevojshme nga anëtarët e Komisionit hetimor parlamentar. Komisioni Hetimor Parlamentar po investigon vetëm veprimtarinë e institucioneve dhe për këtë arsye, gjashtë anëtarët kanë thirrur për informacion personalitetet në cilësinë e krerëve të institucioneve në raport me zbatimin e ligjit siç parashikohet në nenin 14 të ligjit për Komisionet Parlamentare, dhe se çdo fakt, dokument apo të dhëna që Komisioni do të mbledhë gjatë veprimtarisë së tij do t’i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme. Javës që vjen në Komisionin hetimor parlamentar do të thirren edhe qytetarë dëshmitarë të ngjarjes së dhunshme të 21 Janarit, ndërkohë që Komisioni hetimor parlamentar paralelisht po punon për të përmbyllur të dhënat që kanë mbledhur deri më tani. Në këtë komisionin kanë raportuar Kryeministri, ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit, Komandanti i Gardës së Republikës, ndërkohë që presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka refuzuar të shkojë para Komisionit. Kryeprokurorja Ina Rama ka refuzuar t’u përgjigjet anëtarëve të Komisionit, ndërsa drejtori i SHISH-it është në pritje për të dëshmuar sapo anëtarët e Komisionit ta konsiderojnë të nevojshme. Në këtë Komision nuk është paraqitur asnjë përfaqësues i opozitës. PS-ja ka depozituar kërkesën për shpalljen e antikushtetutshmërisë së këtij Komisioni në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›