E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Ziver Veizit, gardisti arrestohet në zyrën e prokurorëve

SHKRUAN: Leonard Bakillari 09-02-2011 10:09

Tiranë- Një efektiv i Gardës së Republikës, i dyshuar për vrasjen e njërit prej katër demonstruesve më 21 janar, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, duke u gdhirë dita e djeshme. Agim Llupo me gradën major, i cili mbante detyrën e zv. komandantit të Njësisë Speciale, dyshohet se është përgjegjës për vrasjen e Ziver Veizit, demonstruesi që u qëllua vetëm pak metra larg portës së Kryeministrisë, pamje kjo që ka bërë xhiron e botës. Arrestimi i efektivit të Gardës është kryer rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ku Llupo, së bashku me 5 kolegë të tij ishin thirrur për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Seanca e pyetjeve ka nisur rreth orës 18:00 të pasdites së hënë, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të djeshëm me arrestimin e shefit të Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës. Pesë prokurorët e çështjes kanë pyetur veçmas njëri-tjetrit gjashtë gardistët e thirrur, tre prej të cilëve kanë pohuar se nuk kanë qëlluar drejt demonstruesve, por vetëm në ajër. Në përfundim të seancës së pyetjeve, prokurorët i kanë kërkuar oficerit të Gardës, Agim Llupo, të qëndrojë për disa çaste, ndërsa kanë njoftuar policinë, e cila ka dërguar një Patrullë në ambientet e Prokurorisë. Arrestimi i tij është kryer në katin e dytë të godinës së Prokurorisë, ndërsa pas prangosjes, efektivi i Gardës u ka kujtuar prokurorëve se ky nuk ishte veprimi i duhur. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se gjashtë gardistët, të gjithë pjesë e Njësisë Speciale, kanë shkuar në Prokurori për të dhënë shpjegime për ngjarjen, me ndërmjetësinë e një përfaqësie të huaj diplomatike në Shqipëri. Duke marrë garanci se thjesht do të pyeteshin, gardistët kanë qenë të gatshëm të përballen me prokurorët, madje të paarmatosur, ndryshe nga mënyra se si eprorët e tyre u paraqitën në polici pak ditë më parë. Nga hetimet, por edhe deklarimet e vetë gardistëve, rezultoi se dy prej tyre nuk kanë qenë të planifikuar me shërbim në pjesën veriore të Kryeministrisë, por në krahun tjetër të saj. Një nga gardistët që ndodhej aty, ka deklaruar se arma që ai kishte në përdorim, një automatik model “MP5”, është bllokuar dhe se ai nuk ka mundur të qëllojë asnjëherë. Ndërsa tre gardistët e tjerë, përfshi edhe të arrestuarin, kanë thënë para prokurorëve se nuk kanë qëlluar asnjëherë në drejtim të turmës. “Unë kam qëlluar disa herë, por vetëm në ajër. Nuk kam qëlluar në drejtim të demonstruesve” - mësohet të ketë thënë oficeri i Gardës, Agim Llupo, pak momente para arrestimit. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimin ndaj tij, pas analizimit të një sërë provash, ku më kryesorja ishte akt-ekspertiza për armën e përdorur nga oficeri i arrestuar. Sipas analizave balistike, rezulton se Ziver Veizi, demonstruesi që shfaqet duke rënë në hyrje të Kryeministrisë, është qëlluar nga arma që kishte në përdorim Agim Llupo. Bëhet fjalë për një armë automatike “MP5”, që përdor plumba të kalibrit 9 mm, predhë e njëjtë me atë që është gjetur në trupin e Ziver Veizit. Gardisti i arrestuar është baba i dy fëmijëve dhe jetonte me qira në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›