E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen dy dyer në Muze

Ekspozita për viktimat e komunizmit është vizituar falas nga afro 11 mijë persona, kryesisht gjimnazistë. Nuk dihet ç'vend do të zërë tani që po zhvendoset si pavijon i përhershëm në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Po në MHK është mbyllur edhe biblioteka "Lumo Skëndo". Jetoi dy vjet


Ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist", është vizituar nga afro 11 mijë persona. U hap më 20 shkurt, me kërkesë të qeverisë "Berisha" dhe e realizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me kurator Rubens Shimën.


Tani, stendat dhe gjithë materialet janë zhvendosur në katet e sipërme, ku siç është thënë, do të zërë vendin e një pavijoni më të madh dhe të përhershëm.


Sipas Preng Carës, shef i personelit në Muze, nga 20 shkurti deri më 24 prill, ditë kur u mbyll ekspozita, ka pasur 10510 vizitorë.


Duket shifër tepër e saktë, edhe pse vizitorët "janë numëruar" me syrin e lirë të punonjëses së biletarisë. "Vizitat kanë qenë falas, sepse qëllimi ishte që të ndiqej nga sa më shumë njerëz historia e kësaj kohe të Shqipërisë dhe shqiptarëve", - thotë punonjësja e biletarisë.


"Sigurisht që me përafërsi janë këto shifra që ju po japim", - përfundon ai, pasi ka theksuar edhe një herë se drejtoritë arsimore në veçanti dhe MHK-ja, kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer.


Nxënësit e gjimnazeve të kryeqytetit dhe të pak qyteteve, kanë rritur shifrën e vizitueshmërisë, e cila është vërtet e lartë krahasuar me sezonet turistike të Muzeut Kombëtar që përkojnë me pranverën dhe vjeshtën.


Prapë është për të ardhur keq që vizitori trajtohet si numër, si hije, dhe nuk vilen prej tij përshtypje, aq më tepër për një operacion qeveritar si ky, në emër të nismave të shtetit shqiptar për dënimin e krimeve të komunizmit.


Së fundi, ekspozita është çmontuar e gjitha, foto, ekrane, stenda me emra, pak objekte të burgosurish, si dëshmi të dhunës që regjimi ka ushtruar qysh në ditët e para të '44-ës deri më 1991-shin. Në Muzeun Historik Kombëtar ekziston një "pavijon i gjenocidit" i shtrirë në një hapësirë tre herë më të madhe se Ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist".


Elementët janë pak a shumë të njëjtët, madje "pavijoni i gjenocidit", siç duket edhe nga emri që i kanë vënë, e tepron kur nis e imiton me replika e vuajtjen në burgje. Për shembull, qelia e një të dënuari politik është një dhomë e vockël me mure të zeza dhe me ndonjë rrëke bojë të kuqe.


Është thënë që vendin e këtij pavijoni do ta zërë ekspozita e 20 shkurtit, që do të jetë disi më e madhe.


Kjo përzierje me të thëna e të pabëra, tregon krizën e konceptimit që Muzeu ynë Kombëtar nuk mund ta fshehë, sikur edhe 20 mijë të tjerë ta vizitojnë brenda muajit.
Javës që shkoi u mbyll edhe biblioteka "Lumo Skëndo" e MHK-së. Ndodhej në katin e dytë.


Mund ta shfrytëzonin nxënës, studentë, studiues, por asnjëherë nuk u frekuentua. Ka të ngjarë që ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, iniciatori, të ketë mbetur që prej 2007-ës anëtari i parë dhe i fundit i saj. U investuan rreth 2.5 milionë lekë.


Disa tavolina druri, rafte, dollapë, tapete të kuq "te Medreseja". Fondi me 2300 libra i përkiste bibliotekës së vjetër të muzeut, e krijuar qysh më 1981-shin.

Përmbante libra studimorë, albanologjikë, etnografikë, por edhe letrarë, autorë shqiptarë e të huaj. Për nder të bibliofilit dhe albanologut Mit'hat Frashëri, ishte menduar që një kënd i sallës së re t'i kushtohej vetëm veprës së tij. Një pasuri me 30 libra që mbajnë autorësinë e Frashërit, apo të autorëve të tjerë për të.


Kjo bibliotekë u përurua në prill 2007 dhe atë ditë, në të njëjtin vend, Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare dhanë çmimin kombëtar të bibliofilisë "Lumo Skëndo". Po aty, ish-drejtori, Beqir Meta, thoshte se kjo ka për të qenë librari-bibliotekë, të cilën në raport me simotrat private e bënte "konkurrente hapësira e madhe, por edhe shërbimi falas".


Në bibliotekë tutkalli vjen akoma erë. Një punonjëse mbledh një koleksion të fundit të gazetave dhe një tjetër ndez fshesën me korrent. "Lumo Skëndo" u hap me ëndrra në diell, u mbyll me zhurmë fshese.


Dhe pastaj thonë se institucionet buxhetore nuk kanë para. 2.5 milionë tek kjo gjoja bibliotekë të hedhura kot.


Në Ministrinë e Kulturës, në sektorin e trashëgimisë që ka nën këqyrje edhe këtë muze, thonë: "Ky është këndvështrimi juaj".


Sipas këtyre specialistëve, "pasuria" e asaj biblioteke do të kthehet tek biblioteka e vjetër për t'u shërbyer kërkuesve shkencorë... "Nuk mund të përdoren dy biblioteka", - thotë specialisti, duke nënkuptuar se për efekt sintetik nuk mund të ketë gjithashtu staf të dubluar.


Ka shpresë që ky trafik muresh, lëndësh arkivore e muzeale do të zhbllokohet një herë.
Ekziston një program, "Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik", pjesë e nismës "Një OKB", i cili ka në fokus rolin që luan kultura në zhvillimet ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.


Detyra e këtij programi do të jetë shfrytëzimi i potencialit të trashëgimisë kulturore në vend, krijimi i mundësive ekonomike për komunitetet në nevojë, etj.


Një nga pikat ku ky program synon të japë kontributin tij është rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar. Financimi vjen nga "Fondi Spanjoll për arritjen e objektivave për zhvillimin e mijëvjeçarit" me një shumë prej 3.2 milionë dollarë.


Por, së pari, ekspertët e huaj do të zhvillojnë një koncept dhe do të gjejnë një mënyrë se si koleksioni aktual të kthejë në pikë pelegrinazhi ngrehinën që, pavarësisht emrit të rëndë që ka, po trajtohet sikur të jetë oborri i sektorit të dekorit të qytetit.


Është naive të besosh se ekspertët e huaj do të bëjnë mrekulli pa patur bashkëpunëtorë vendas më pak krenarë dhe më të përulur për trashëgiminë që kanë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›