E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 1 miliard lekë për vilat qeveritare

Kryeministri kërkon rikonstruksion vilash me nevojat bashkëkohore. Merren para nga fondi i kontigjencës


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka vendosur që të shtojë lukset qeveritare, duke miratuar dje në qeveri një fond prej 129 milionë lekësh të rinj për përfundimin e investimeve të nisura, me qëllim rikonstruksionin e disa vilave qeveritare, përkatësisht në Dhërmi, Durrës, vila nr. 1, Vlorë dhe Velipojë.


Këshilli i Ministrave ka vendosur që fondi për rikonstruksionin e këtyre vilave të përballohet nga fondi i kontigjencës i buxhetit të vitit 2009, edhe pse në fakt qeveria, pak kohë më parë kishte vendosur që të këtë fond ta linte krejtësisht në funksion të përballimit të krizës ekonomike.


Është Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare që do të merret me rikonstruksionin e vilave, edhe pse ka dy vjet që kësaj drejtorie po i vihen në dispozicion shuma të majme, me qëllim që vilat qeveritare ku do të pushojë Kryeministri apo ministrat e tjerë, të jenë të kompletuara me shërbimet më të fundit bashkëkohore.


Kështu, gjatë vitit 2008, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i është dhënë një fond prej rreth 33 milionë lekësh të rinj për rikonstruksionin e vilave qeveritare, përkatësisht në Dhërmi, Durrës, vila nr. 1, Vlorë dhe Velipojë.


Por, sipas shpjegimit të zv/kryeministrit, Genc Pollo, për arsye të zgjatjes së procedurave të prokurimit, afateve të lëvrimit të fondeve të miratuara për këto rikonstruksione, kryerjes së disa punimeve të paparashikuara, periudha e mbetur, deri në fund të vitit 2008 nuk mjaftoi për realizimin e punimeve të parashikuara, për disa nga vilat.


Vilat


Për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Velipojë, në buxhetin e shtetit të këtij viti është parashikuar vlera prej 30 milionë lekësh të rinj. Por, gjatë kryerjes se rikonstruksionit të këtij objekti, sipas qeverisë, kanë dalë të nevojshme punime të tjera, të paparashikuara, të cilat kapin vlerën e rreth 17 milionë lekëve të rinj.


Për vilën në Dhërmi, qeveria mendon se nuk u përgjigjet kërkesave bashkëkohore për një rezidencë qeveritare, referuar projektit të paraqitur, ndaj dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, në bazë të përllogaritjeve ka vendosur që rikonstruksioni i kësaj vile të përballohet më një fond shtesë prej 54 milionë lekësh të rinj.


Edhe për vilën nr. 1 në Vlorë, për vitin 2009 është miratuar tashmë një fond prej 49 milionë lekësh të rinj, por Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare kërkon që për realizimin e këtyre punimeve për rikonstruksionin e kësaj vile, duke iu referuar vlerës me të cilin operatori ekonomik ka fituar këtë prokurim, duhen edhe 52 milionë lekë të rinj.


Për pasojë, sipas shpjegimit të Ministrisë së Financave, duke qenë se buxheti i vitit 2009 nuk kishte parashikuar fonde për kryerjen e të gjitha punimeve të mbetura, është parë e nevojshme që t'i shtohet një fond me vlerë prej rreth 129 milionësh lekë të rinj, për përfundimin e këtyre punimeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›