Vendimi, ALUIZNI merr kompetencat e bashkisë
Qeveria ngarkon ALUIZNI-n për përgatitjen e të dhënave të legalizimeve në terren. Sipas qeverisë, pushteti lokal ka dështuar në këtë proces
Sipas qeverisë, zyrat e urbanistikës pranë pushtetit lokal, shkelën çdo afat ligjor në lidhje me dokumentimin e ndërtesave në proces legalizimi
TIRANË- Zyra e ALUZNI-t merr të gjitha përgjegjësitë që ka pasur deri më tani pushteti vendor në lidhje me procesin e legalizimit të objekteve pa leje në territorin e vendit.
Me arsyetimin se këto të fundit kanë shkelur çdo afat ligjor, Këshilli i Ministrave ia kaloi dje zyrës së ALUIZNI-t të gjitha përgjegjësitë për përgatitjen e të dhënave që kanë të bëjnë me shqyrtimin në terren dhe përpilimin e raporteve për ndërtimet pa leje që janë në proces legalizimi.
Sipas vendimit të qeverisë, ALUIZNI duhet që brenda një afati kohor 3 muaj e gjysmë, të ketë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të bërë të mundur legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Pjesë e asaj ç'ka duhet të kryejë ALUIZNI është shqyrtimi në terren i ndërtesës dhe përgatitja e raportit mbi të dhënat e saj. Sipas ligjit "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", duhej që zyrat e urbanistikës pranë organeve të pushtetit vendor, pasi të kishin përmbushur të gjitha detyrimet e mësipërme, t'i dorëzonin ato brenda datës 15 nëntor 2006 pranë Këshillit të qarqeve.
Ndërkohë, me të marrë të dhënat, këto të fundit ishin të detyruara që të bënin verifikimin e menjëhershëm dhe brenda 30 ditëve nga marrja në dorëzim duhej që t'i dërgonin ato pranë zyrave rajonale të ALUIZNI-t. Bëhet e ditur se të gjitha këto afate janë shkelur dhe në zyrat e ALUIZNI-t, në çdo qark të vendit, nuk është dorëzuar asnjë dokumentacion tekniko-ligjor.
Thyerjet e të gjitha afateve ligjore dhe vonesat e pazakonshme në përmbylljen e këtij procesi kanë vënë në lëvizje qeverinë, e cila me anë të këtij vendimi ia delegon të gjitha përgjegjësitë zyrave të ALUIZNI-t nëpër qarqe.
"Vendimi ka për qëllim përcaktimin e afateve dhe mënyrës së kryerjes së procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale nga ALUZNI, duke pasur parasysh se në të gjithë territorin e vendit, organet e njësive të qeverisjes vendore nuk kanë respektuar detyrimet ligjore për legalizimin e tyre në përputhje me afatet e parashikuara",- sqaron qeveria.
Sipas Këshillit të Ministrave, zyrat e ALUIZNI-t janë të detyruara që ta përmbyllin procesin e verifikimit në terren të të gjitha objekteve dhe raportimit të gjendjes së tyre, brenda një afati prej 3 muajsh e gjysmë nga dita e djeshme.
Pas verifikimit në terren dhe përpilimit të raportit mbi ndërtesat pa leje në të gjithë qarkun, drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t pasqyrojnë në një hartë kadastrale vendndodhjen e ndërtesave dhe infrastrukturën përreth tyre, si sistemin rrugor, studimet urbanistike mbi zonën, etj.
Sipas vendimit, në hartën e përpiluar pas verifikimit të të dhënave për ndërtimet në një zonë të caktuar, duhet të pasqyrohen të gjitha ndërtesat, por, duke i klasifikuar nëse janë për legalizim apo janë të përjashtuara nga ky proces.
"Me arsyetimin se këto të fundit kanë shkelur çdo afat ligjor, Këshilli i Ministrave ia kaloi dje zyrës së ALUIZNI-t të gjitha përgjegjësitë për përgatitjen e të dhënave që kanë të bëjnë me shqyrtimin në terren për ndërtimet pa leje"
"Vendimi ka për qëllim përcaktimin e afateve dhe mënyrës së kryerjes së procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale nga ALUZNI, pasi organet e njësive të qeverisjes vendore nuk kanë respektuar detyrimet ligjore"