Mbyllen negociatat ne Greqi rezultatet sekret
Mbyllen negociatat e qeverisë greke me kreditorët privatë dhe ato me Trojkën, por ende ka nevojë për pak kohë më parë se të mbyllen shqyrtimet mbi rimbursimin e borxheve dhe njoftimin e angazhimeve të reja. Sipas zëdhënësit të qeverisë greke, pjesa më e madhe e negociatave është mbyllur. Tashmë qeveria është duke analizuar angazhimet e mëdha që duhet të marrë në kuadër të masave shtrënguese. Kreditorët privatë bëjnë me dije se negociata e tyre mbi reduktimin e borxhit do të deklarohet vetëm pasi t’i jepet rruga e lirë planit të ndihmës ndërkombëtare me 130 miliardë euro. Gjermania, Brukseli dhe FMN kërkojnë garanci më të forta mbi angazhimet e qeverisë. Nga Europa, SHBA dhe Azia janë të gjithë në pritje për të kuptuar atë se cka ndodh në Greqi orët e fundit. Zërat qarkullojnë se kreditorët privatë kanë pranuar të ulin vlerën e borxhit grek me më shumë se 70% dhe interesi i bonove qeveritare përfshihet mes 3,5 dhe 4%, ndërsa ripagimi i kapitalit është shtyrë deri në 30 vjet. Gjithsesi informacionet rreth negociatave greke janë të ndryshme. Nga Luksemburgu, bëhet me dije se kreu i Eurogroupit, Jean Claude Juncker ka deklaruar që marrëveshja e kreditorëve privatë dhe qeverisë greke është shumë e vështirë. Po kështu nga Brukseli edhe Komisioneri Olli Rehn është shprehur se Greqia ka nevojë për 15 miliardë euro të tjerë dhe u ka kërkuar shteteve të Eurozonës të bëjnë një përpjekje më shumë. Sipas tij inspektorët ndërkombëtarë shohin një hendek prej 15 miliardësh pas marrëveshjes me privatët dhe dhe pakëtës së dytë të shpëtimit.