E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen regjistrimet, Universiteti i Tiranës 631 vende të lira

SHKRUAN: Jonida Tashi 19-09-2011 13:43

Pas mbylljes së regjistrimeve paraprake në orën 18.00 të pasdites së djeshme, Universitetit të Tiranës i kanë rezultuar 631 vende të lira, që do të plotësohen me spostim liste dhe sipas parimit Meritë-Preferëncë. Krahasuar me një vit më parë, numri i vendeve bosh pas fazës së regjistrimeve paraprake në këtë universitet është gati 10 % më i lartë. Mbrëmjen e djeshme, drejtuesit e Universitetit të Tiranës (UT) kanë raportuar vendet e mbetura bosh për tetë fakultetet në varësi të tij. Nga shpërndarja e kuotave të mbetura bosh, sipas tetë fakulteteve të UT-së vihet re se në degët më të preferuara nga studentët kanë ngelur shumë pak vende të lira nga faza e parë e pranimeve. Ndërsa përsa i përket fakulteteve, në krye të listës për numrin më të madh të vendeve të lira renditet Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, me 135 të tilla. Pas Gjuhëve të Huaja, një numër i konsiderueshëm kuotash të paplotësuara kanë rezultuar edhe në Fakultetin Ekonomik, që është një ndër më të preferuarit e Universitetit të Tiranës. Kështu, në total, në degët e Fakultetit Ekonomik kanë rezultuar 123 vende vakante. Më pas vjen Fakulteti i Shkencave të Natyrës, në të cilin, nga faza e regjistrimeve paraprake kanë ngelur 124 vende bosh. Si gjithmonë, dy fakultetet më të kërkuara në Universitetin e Tiranës, që janë Mjekësia dhe Juridiku kanë më pak kuota të lira karshi fakulteteve të tjera. Konkretisht, në Fakultetin e Drejtësisë janë vetëm 45 vende të paplotësuara, kurse në atë të Mjekësisë rezultojnë 46 kuota vakante. Sikurse te Mjekësia edhe te Infermieria është i kufizuar numri i kuotave të paplotësuara, dhe shifra totale e vendeve bosh nga faza e parë është 69. Ndërkohë që edhe te Shkencat Sociale nuk kanë mbetur shumë kuota të lira për fazën tjetër të pranimeve, por vetëm 46. Së fundi, Fakulteti Histori-Filologji, për shkak edhe të numrit të kufizuar të degëve që ofron ka më pak kuota vakante, për fazën e dytë të pranimeve. Kështu, të drejtën për të fituar studimet e larta në fazën e dytë të pranimeve pranë Filologjikut do ta kenë vetëm 34 studentë. Tashmë, pas mbylljes së fazës së regjistrimeve paraprake në të gjitha universitetet publike të vendit, këto të fundit do të raportojnë sot në Ministrinë e Arsimit, vendet bosh, ndërkohë që lista zyrtare me kuotat e lira për të gjitha degët e fakulteteve të vendit do të publikohet në ditët në vijim nga MASH. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se do të jenë mbi 3 mijë vendet e lira në të gjitha universitetet publike të vendit. Mbi bazën e vendeve vakante nga faza e regjistrimit paraprak do të përpilohet edhe lista përfundimtare e fituesve të universiteteve, e cila sipas afatit të përcaktuar nga MASH do të shpallet në datën 23 shtator. Kandidatët që në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit paraprak, duhet të regjistrohen në degën ku janë fitues me listat përfundimtare. Ndërsa, kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen.

Vendet bosh në UT

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 135

Fakulteti i Shkencave të Natyrës 124

Fakulteti i Ekonomisë 123

Fakulteti i Infermierisë 69

Fakulteti i Mjekësisë 55

Fakulteti i Shkencave Sociale 46

Fakulteti i Drejtësisë 45

Fakulteti i Histori-Filologjisë 34

Totali 631

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›