Matura 2012, shtohen dy provime me detyrim
Gjuha e huaj e parë do të jetë provimi i pestë me detyrim i Maturës, ndërkohë që do të ketë edhe një provim të veçantë për maturantët e shkollave profesionale
Matura Shtetërore 2012 do të jetë më e ngarkuar, pasi pritet të shtohen dy provime të reja të detyrueshme. Një nga këto provime që do të futen për herë të parë në testimet e Maturës është gjuha e huaj e parë që maturantët kanë mësuar në gjimnaz, ndërsa tjetri ka të bëjë me maturantët e shkollave profesionale. Këta të fundit, ndryshe nga më parë, kur i nënshtroheshin një testimi shkollor profesional para se të futeshin në provimet e Maturës, këtë vit do të ketë edhe provime Mature Shtetërore profesionale për shkollat profesionale. Këto ndryshime janë parashikuar edhe në projektligjin e ri “Për arsimin parauniversitar”, në të cilin përcaktohet se “në provimet e Maturës Shtetërore, nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje vetjake. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: Gjuha shqipe dhe Letërsia bërthamë, Matematika bërthamë dhe gjuha e huaj e parë. Lista e lëndëve me zgjedhje vendoset me udhëzim të ministrit”. Ndërkaq, lidhur me ndryshimet e Maturës 2012, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Petraq Papajorgji thotë se nuk do të ketë më korrigjime me dorë, por kontrolli i testeve do të kryhet në mënyrë dixhitale. Sipas tij, kjo metodë do të shkurtojë edhe kohën e daljes së rezultateve. “Matura, vitin që vjen do të jetë e ndryshme në dy drejtime. Së pari, do të shtohet numri i lëndëve të detyruara, pra numri i lëndëve që do të jepet provim do të jetë më i madh dhe nga pikëpamja e teknologjisë që do të përdoret për të vlerësuar provimet e Maturës vitin që vjen do të ketë ndryshime cilësore mjaft të mëdha. Tani po përfundojmë një projekt me një kompani austriake që do të vendosë një sistem informacioni për të mbledhur të dhënat për nxënësit”, - thotë Papajorgji. Në lidhje me trasparencën e vlerësimit të maturantëve gjatë këtij viti, Papajorgji thekson se nuk ka asnjë mundësi abuzimi. Rezultatet sipas tij janë online dhe nuk mund të ndryshojnë për asnjë arsye. “Libri i transparencës është fare transparent, publik. Sasia e pikëve e marrë nga çdo nxënës është e llogaritur në mënyrë të saktë, shpërndarja e studentëve nëpër degë të ndryshme duke u bazuar në preferencat e nxënësve është një proces që bëhet për të gjithë njëlloj, ndërsa procesi i lëvizjes në rastet kur krijohen boshllëqe po ashtu është transparent. Është një sistem që ushqehet në mënyrë horizontale dhe vertikale, pra vendet vakante mbushen në mënyrë automatike”, - theksoi drejtori i AKP-së. Këtë vit, sesioni i provimeve të Maturës do të jetë nga data 23 maj- 30 qershor 2012.