Mbyllet Lezha, mandatet sndryshojnë. Kolegji shqyrton sot kërkesën e PS-së
Tiranë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në orët e vona të së dielës ka mbyllur rinumërimin e votave për 248 kutive në qarkun e Lezhës.
Përveç konstatimit të disa problemeve, KQZ-ja miratoi me katër vota pro të njëjtin rezultat si në zgjedhjet e 23 qershorit, duke shkuar kështu katër deputetë për Partinë Demokratike, dy për Partinë Socialiste dhe një për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Pas përfundimit të procesit palët në KQZ u përfshinë nga debate teksa përfaqësuesit e PS-së kërkuan kohë për verifikimin e tabelave të rezultateve dhe miratimin e tyre ditën e hënë, ndërsa përfaqësuesit e PD-së e cilësuan si të pavend këtë kërkesë.
Konstatimi më i rëndë është ai në qendrën e votimit 0810, ku në procesverbalin e KZAZ, ishin shënuar 535 fletë votimi të gjetura në kuti, ndërsa pas rinumërimit ka rezultuar se gjendeshin 515 fletë votimi. Ky ndryshim solli uljen e numrit të votave për LSI-në, e cila kishte 50 dhe tani ka 30 vota. Pas hapjes së kutive është thelluar diferenca në favor të koalicionit të djathtë, por duke mos përbërë asnjë ndryshim sa i përket mandateve.
Ndërkohë që Partia Socialiste ka dorëzuar të shtunën në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë për pavlefshmëri të shqyrtimit të votave nga ana e KQZ-së, e cila pritet të shqyrtohet sot.
Në Qarkun e Lezhës opozita mori katër mandate dhe të djathtët tre, por KQZ-ja e ndryshoi rezultatin pas rinumërimit të 10 kutive të votimit duke ja dhënë një mandat demokratëve, pasi kishte mospërputhje mes votave dhe procesverbaleve.
KQZ-ja do të mblidhet sërish sot në orën 10:00 për nisjen e procesit të rinumërimit të votave për Qarkun e Shkodrës.
PD: Nuk pranojmë rezultatin, duam transparencë të plotë
Lidhur me procesin e rinumërimit ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila shprehet se Partia Socialiste i ka vjedhur votat më 23 qershor. Përfaqësuesi i saj Gerti Bogdani deklaroi se rinumërimi i votave për Qarkun e Lezhës nxorri në dritën e diellit fytyrën e fitores së Edi Ramës i cili me bandat e tij të krimit, drogës dhe prostitucionit përmbysi rezultatin me terror.
Rezulton se Rama ka vjedhur me dhunë, terror e para të pista mbi 1000 vota në Qarkun e Lezhës. Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij po kërkojnë të bllokojnë transparencën dhe ne i bëjmë thirrje që të ndalojë presionet dhe përpjekjet për të ndaluar rinumërimin e votave,- u shpreh Bogdani.
Në përfundim ai u shpreh se Partia Demokratike nuk e pranon rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa transparencën e plotë të votës së qytetarëve shqiptarë.