Sot zgjidhet pasardhësi i Berishës, Basha përballë Olldashit për PD-në
Tiranë- Partia Demokratike ka sot zgjedhjet për kreun e ri të saj, pasardhës të kryeministrit ende në detyrë dhe liderit të dorëhequr të së djathës, zotit Sali Berisha.
Anëtarësia e Partisë Demokratike do të votojë në mes dy kandidatëve, Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit.
08:30
Procesi i votimit për kreun e PD-së ka nisur në disa zona të vendit. Në Korçë votojnë 5200 anëtarë, në Pogradec 3400, Devoll 2300 dhe Kolonjë 700. Ndërsa në Pukë ende nuk ka nisur ky proces teksa disa anëtarë kanë deklaruar se ju është hequr emri nga listat e anëtarësisë.
Zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë bëhen më datë 22 korrik, ditën e hënë, nga ora 08.00 deri në orën 19.00. Vendvotimet janë përcaktuar dhe anëtarësia informohet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe , apo çdo grup-seksioni në Tiranë. Këshilli Kombëtar dhe Deputetët me banim në Tiranë, votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike,- ka njoftuar PD-ja.
Që pas dorëheqjes së Sali Berishës, Basha dhe Olldashi kanë zhvilluar takime me anëtarët e partisë së tyre në vend duke premtuar ringritjen e PD-së dhe kthimin me një fitore të fuqishme.
Gara në PD, Olldashi: Kreu të jetë në Kuvend. Basha: Të jemi të bashkuar
Durrës- Kandidatët për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë zhvilluar dje takimet e fundit me anëtarët e kësaj partie, pasi nesër do të mbahen edhe zgjedhjet.
Basha është ndalur në Kavajë dhe në Durrës ku ka thënë se se vetëm të bashkuar, demokratët do të mund të kthehen shpejt në qeverisjen e vendit dhe vazhdimin e realizimit të ëndrrës evropiane të shqiptarëve.
Më lejoni të ndaj një rrëfim me ju! Që nga ditët e para, kur miq, dashamirë, njerëz që duan të më shohin si kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre pyesnin: – Kë ke në Durrës, kë ke në Vlorë, po në Shkodër kë kemi, në Korçë kë ke, po në Gjirokastër kë kemi!? Dhe përgjigjja ime ka qenë vetëm një: – Në Durrës, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë kam dhe kemi Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë e Sali Berishës, partinë e Azem Hajdarit. Vetëm kështu, të bashkuar, vëllezër dhe motra, do të nisim një rrugëtim të fuqishëm, për rikthimin sa më shpejt në krye të asaj që na takon, destinacionit tonë historik, të asaj që presin shqiptarët prej nesh, udhëheqjen e ëndrrës së tyre evropiane-u shpreh Basha.
Zoti Basha ka garantuar të gjithë anëtarësinë, se në drejtimin e PD prej tij, vendimmarrja do të jetë atribut i anëtarëve të PD.
Çdo anëtar i PD, nga themeluesi, tek qëndrestari dhe anëtari më i ri do të kenë akses të plotë, të thonë hapur mendimin e tyre, për çdo çështje që i takon PD. Nuk mund dhe nuk do të mjaftohemi më në pikëpamjen time, me vendimmarrje që janë të mbyllura, të ngushta, të kufizuara por duhet tia rikthejmë atributet e plota sovranit në Partinë Demokratike, që janë anëtarët dhe anëtaret e PD- vijoi ai.
Ndërkohë kandidati tjetër Sokol Olldashi u ndal në Shijak ku deklaroi se riorganizimi i partisë dhe krijimi i një opozitë të fuqishme do ta rikthejë PD-në sërish në pushtet. Ai ka ritheksuar se duhet të forcohen marrdhëniet me mbështetësit e saj kryesorë, të përndjekurit politikë, pronarët, të rinjtë, bota akademike dhe biznesin. Por ndryshe nga herët e tjera ai ka renditur avantazhet e tij kundrejt Bashës.
Unë e njoh strukturën e PD-së shumë mirë, sepse kam hyrë në Partinë Demokratike si militant, siç keni hyrë dhe ju dhe pastaj kam ngjitur dhe kam zbritur shkallët dhe sa kam arritur këtu ku jam.Avantazhi i dytë që kam në këtë garë është eksperienca opozitare. Të gjitha ata që janë anëtarë të vjetër të Partisë Demokratike dhe militantë të vjetër, e dinë se një parti në opozitë vepron krejt ndryshe nga një parti në pushtet. Avantazhi i tretë është të qenit në parlament. Debati politik atje ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet se sa i pabarabartë ka qenë debati në parlament. Ju të gjithë e dini që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme Sali Berishën, nuk e konkurroi kush në parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet që ti dilte përball Berishës. Tani duhet të shikojmë inversin, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet që patjetër aty të jetë kryetari i ri i opozitës. E fundit që është avantazh, është koha. Unë e kam gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe rikonstruktimit të partisë, dhe Partia Demokratike në këto moment ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe rikonstruktime, të cilat duhet të ndiqen
Më pas Solol Olldashi zhilloi takime në Durrës, ku edhe aty kërkoi votnë për kryetar partie.