Lushnje, zjarri rrezikon varrezat publike
Zjarri ra në përroin pranë varrezave. Ndërhyjnë me urgjencë 2 zjarrfikëse për izolimin e flakëve
Lushnje- Një zjarr ka përfshirë zonën ku ndodhen varrezat publike të qytetit, duke i rrezikuar seriozisht. Për fat, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëseve, të cilat u lajmëruan në kohë shmangu pasojat, që sipas specialistëve do të ishin shumë të rënda. Zjarri, sipas policisë, ra dje në orën 14.00, kohë kur hapësira e varrezave publike u mbulua nga tymi dhe flakët. Një telefonatë ka njoftuar zjarrfikëset, që kanë mbërritur me urgjencë dhe kanë nisur punën për shuarjen e flakëve. «Flaka ka përfshirë përroin në një gjatësi mbi 500 metra, duke vënë në rrezik serioz varrezat publike»- thanë burimet zyrtare, që bëjnë me dije se në shuarjen e flakëve ndihmoi policia bashkiake si dhe banorë të zonës. Flakët kanë marrë përmasa të frikshme, të ndihmuara edhe nga era, ndërkohë që kanë favorizuar shumë edhe materialet që gjendeshin në përroin, pranë varrezave. Sipas dëshmitarëve që ishin në vendngjarje varrezat janë mbuluar nga tymi i zi, por për fat të mirë nuk janë përfshirë nga zjarri. Sipas ekspertit të zjarreve, Loni Boçi, varrezat publike kanë shpëtuar mrekullisht nga rënia e zjarrit. “Do të mjaftonte një vatër e vogël dhe flakët do kishin mbuluar tërë hapësirën e varrezave prej më shumë se 5 hektarësh”- tha ai. Mendohet se shkak i rënies së zjarrit mund të ketë qenë një gabim njerëzor i ndonjë banoriaty pranë, por policia është duke hetuar edhe për ndonjë zjarrëvënie të qëllimshme. Ende për këtë ngjarje nuk jepen detaje, por sipas burimeve policore gjithçka është ende në hetim. Ky është zjarri i parë që ka rënë këtë vit në këto përmasa, i cili ka sinjalizuar se kërkohen masa të forta për mbrojtjen nga fatkeqësitë që lidhen me zjarret.
S. Ndreçka
****Gjykata ka vendosur dje dënimin me 25 vite burg për Sokol Krojin, që 7 vite më parë vrau për gjakun e babait
Vrau motër e vëlla për gjakmarrje, 25 vjet burg
SHKODËR-Gjykata e Apelit në Shkodër ka vendosur dje dënimin me 25 vite burg për shtetasin Sokol Kroji, akuzuar për vrasjen e dy personave, motër e vëlla për hakmarrje. Ngjarja ka ndodhur më vitin 2001 në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, pranë ish divizionit ushtarak, 30 metra larg nga rruga që lidh Komisariatin e Policisë Shkodër me ndërtesën e Zjarrfikëses, dhe rreth 50 metra larg shtëpisë së viktimave. Me këtë vendim, apeli ka lënë të fuqi të njëjtën masë dënimi që kishte caktuar më parë gjatë gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë në këtë qytet. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se 29-vjeçari ka qëlluar për vdekje, Gjon dhe Lula Pepën, motër e vëlla, teksa të dy ishin duke u kthyer në shtëpi. «Ai është deklaruar fajtor për vrasje me paramendim të shtetasve Gjon Zef Pepa dhe LulaZef Gjeci (Pepa), ngjarje kjo e ndodhur më 24.01.2001»- thanë burimet zyrtare, duke iu referuar ngjarjes, që ka nisur gjykimin që në vitin 2002 në shkallën e parë. Por gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2005 kishte vendosur prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe rikthimin e çështjes për rigjykim. Në vitin 2007, 29-vjeçari Sokol Kroji u dënua në shkallën e parë me 25 vjet burgim për vrasje për gjakmarrje. Gjykata e apelit ka vendosur që për vrasjen e shtetasit Gjon Pepa të mbetet në fuqi vendimi gjykatës së shkallës së parë, ku autori dënohet me 25 vjet burgim, ndërsa për vrasjen e Lula Gjeçit ka vendosur se ajo është kryer jo për gjakmarrje, ndaj e ka dënuar me 16 vjet burgim. Por me gjithë këtë ndryshim, Sokol Kroji do të vuajë 25 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë. Mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar pafajësi për të, por nuk është marrë në konsideratë. Deklarimet edëshmitarëve të akuzës, përfshirë dhe babanë e viktimave kanë shpjeguar se vrasja është bërë nga Sokol Kroji, i cili sipas zakonit i kishte çuar fjalë familjes Pepa se ishte ai autor i vrasjes. Konflikti mes dy familjeve ka nisur në vitin 1998, kur është vrarë në Shllak, Kin Pepa, vëllai i viktimave Gjon e Lula. Po atë vit, 6 muaj më vonë, familja Pepa merr gjak duke vrarë babanë e Sokol Krojit, vrasje kjo e bërë nga Gjon Pepa. Gjykata, nisur nge ekspertizat përkatëse dhe thëniet e dëshmitarëve okularë ka vlerësuar se dy viktimat që ktheheshin nga puna kanë qenë duke ecur paralel, ndërsaSokol Kroji që u kishte zënë pritë, i ka ndjekur nga pas dhe kur është vënë paralel me ta ka qëlluar në bark Gjon Pepën, i cili është rrëzuar. Viktima tjetër Lula Gjeci është përpjekur që të mbrojë vëllanë e saj, Gjon Pepën, por ka mbetur e vdekur edhe vetë. Të dy janë vrarë me 7 plumba, e për këtë gjykata ka arritur në konkluzionin se Sokol Kroji, nuk ka ndonjë rrethanë lehtësuese, nukshfaq pendesë, por vetëm mohim. Dy familjet, Kroji e Pepa vazhdojnë të jenë në hasmëri dhe numërojnë disa të vrarë nga dy krahët.
A.Dushi
****Grabitën dy kamionë me skrap, arrestohen 4 persona
ELBASAN-Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi janë kapur duke transportuar një sasi të konsiderueshme hekuri për skrap, që po e depozitonin pranë firmës “Kurum” për të marrë më pas paratë. Seksioni i Krimit kundër Pasurisë në Drejtorinë e Policisë në Qarkun e Elbasanit ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve; Enver Peshku, 31-vjeç; Drilon Meni, 22-vjeç; Hysen Gjoni, 25-vjeç dhe Kadri Mollasi, 50-vjeç. Të katër personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë vjedhur dy kamionë hekur për skrap një natë më parë dhe kapja e tyre është bërë pas një denoncimi. Mësohet se për këtë rast ka nisur hetimi për zbardhjen e rrethanave dhe origjinës së skrapit të vjedhur. Vlera e hekurishteve për shkak të interesit nga industria e rëndë ka bërë që rastet e vjedhjeve dhe grabitjeve të tyre për t’i shitur më pas, të rriten ndjeshëm. Për vjedhje të kësaj natyre janë proceduar shumë persona.
B.N
Goditi bashkëqytetarin, arrestohet
ELBASAN-Policia e Elbasanit ka arrestuar në flagrancë një 31-vjeçar, pasi ka goditur me mjete të forta një bashkëqytetar. Ngjarja është regjistruar një natë më pare, kur Sadik Buzhani dyshohet se ka goditur me mjete të forta një 35-vjeçar. Mësohet se shkaqet e kësaj ngjarjeje kanë qenë pas një grindje për motive ende të paqarta. Mësohet se i dëmtuari ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë. “31-vjeçari i ndaluar pas ngjarjes do të procedohet për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje”,-thanë burimet policore.
B.N
****Shoqata e Ujit: Firma të ndërhyjë, ndryshe mbeten djerrë 2500 ha tokë. Firma: Do zgjidhet
Fier, punimet në autostradë dëmtojnë kanalet vaditëse
Fier-Punimet e kryera gjatë ndërtimit të autostradës Levan-Vlorë kanë dëmtuar kanalet ujitëse dhe vaditëse. Për këtë problem, shoqata e ujit në qarkun e Fierit është ankuar dje gjatë një takimi në prefekturë, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të firmës ndërtuese. Sipas drejtorit të bordit kullues, Ramadan Krasniqi, shqetësimi i shoqatës ka bërë që në këtë zonë të bëhet një kontroll për të verifikuar gjendjen aktuale. “Nga verifikimet e kryera që janë bërë në kanalet kulluese dhe vaditëse në zonën ku kalon autostrada, nuk mund të shkojë asnjë pikë ujë në zonën përqark, duke lënë djerrë 2500 hektarë tokë”,- tha ai. Më të rrezikuara janë disa fshatra, një pjesë e Levanit, Martinës, Boçovës dhe Bishanit, të cilat në rast se nuk ndërhyhet do të thahen për ujë. Në takim është theksuar se punimet ishin parashikuar të kryheshin gjatë muajve janar-shkurt, kohë që nuk do të sillte shqetësime në ujitjen e tokave. Përfaqësuesi i firmës, që kryen punimet në autostradën Levan-Bishan, të Vlorës ka premtuar se kjo situatë që rëndon fermerët do të rregullohet. L. Çeçoaliaj
****Konflikti për pronën, hetohen daja dhe nipi
Durrës-Ndriçim Hoxha dhe nipi i tij E.T, banorë të fshatit Radë, në Durrës, janë vënë në ndjekje penale për veprën penale të kanosjes. Burimet policore të Durrësit kanë bërë të ditur se Ndriçim Hoxha, 38-vjeç, dhe E.T, 17-vjeç, janë denoncuar në polici nga shtetasi R.H, 58-vjeç, pasi që nga data 19 maj dhe në vazhdim ai është kanosur me jetën nga shtetasit e mësipërm. Arsyeja e këtij kërcënimi të vazhdueshëm nga daja dhe nipi, ka qenë konflikti në lidhje me një pronë që gjendet në fshatin Radë, e cila pretendohej nga të dy palët. Ndriçim Hoxha ka qenë një herë më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që policia e Durrësit ka bërë të ditur se ndaj dy personave që është bërë kallëzim penal, prokuroria e Durrësit ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë. M.B