E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet dita e 14-të e tubimit të studentëve dhe qytetarëve para Kryeministrisë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Studentë dhe qytetarë protestuan sërish sot para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë kundër klasës aktuale politike në vend dhe dorëheqjen së kryeministrit Rama, në ditën e 14-të radhazi të tubimeve.

Pas grumbullimit përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit u zhvendosën duke marshuar paqësisht para Kryeministrisë.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, gjatë qëndrimit para Kryeministrisë nuk u shënuan incidente apo përplasje me policinë.

Në një intervistë për mediet, kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, tha se ata do të jenë në mbështetje të protestave të studentëve.

Kovaçi deklaroi se bojkoti i mësimit është vullnetar, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e studentëve në auditore është e pamjaftueshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Kovaçi theksoi se studentët kanë hyrë në një fazë të re organizimi, duke ngritur forume për të koordinuar më tej lëvizjen e tyre.

Protestat, të cilat vijojnë prej dy javësh, janë shoqëruar vazhdimisht me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Pavarësisht ftesës së vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama për dialog, studentët dhe pedagogët kanë refuzuar uljen në tryezë.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›