Strehimi social, 4 mijë kredi për banesa dhe 3 mijë qira të subvencionuara për vitin 2027

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Ndryshimet në ligjin për strehimin social parashikojnë zgjerimin e skemave të mbështetjes përtej familjeve në nevojë, duke përfshirë edhe të rinjtë, studentët, çiftet e reja, profesionistët dhe qytetarët që rikthehen nga emigracioni.
Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se sipas programit të parashikuar për vitin 2027, mbështetja për strehimin do të përfshijë 4 mijë kredi për blerjen e banesës, si dhe 3 mijë mundësi për strehim me qira të subvencionuar.
Nga 4 mijë kreditë e parashikuara, 2 mijë do të ofrohen me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera do të kenë interes 3%.
Ndërkohë, përmes skemës së qirasë së subvencionuar, shteti parashikohet të mbulojë 50% të vlerës së qirasë, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga programi.
Sipas të dhënave të publikuara nga MIA, nga viti 2018 deri më sot, rreth 31 mijë familje janë mbështetur përmes programeve të strehimit, përfshirë 14 512 familje me subvencionim qiraje, 7 290 me kredi të buta dhe 6 078 familje me përmirësimin e kushteve të banimit.
Zgjerimi i skemave synon të krijojë më shumë mundësi për përfitimin e banesës së parë dhe të lehtësojë kostot e strehimit për kategori të ndryshme të qytetarëve.
1 nga 4/k.s/a.f/r.e/