Mbyllet mbledhja dyditore e qeverisë së re, asnjë komunikim me mediat
Pas dy ditësh punimesh me dyer të mbyllura qeveria e re ka mbyllur mbledhjen e saj të dytë të zhvilluar në Shkodër. Ashtu siç ndodhi edhe në mbledhjen Vlorës, asnjëri prej ministrave por edhe kryeministri i zgjedhur, Edi Rama nuk bën asnjë komunikim për shtyp në lidhje me çështjet e diskutuara në këtë takim. I vetmi njoftim i bërë ishte ai që kryeministri i zgjedhur, Rama bëri në rrjetin social Facebook. Në postimin e tij, të cilin e titullon Një skuadër e gatshme për të merituar besimin e 23 qershorit, Rama shkruan se u vendosën piketat për 100 ditët e para të qeverisjes. Vendosëm në Shkodër piketa të qarta për 100 ditët e para, si edhe për 300 ditët që do të përcaktojnë natyrën e qeverisjes dhe cilësinë e marrëdhënies me njerëzit, shkruan kryeministri i zgjedhur, Edi Rama ndërsa e shoqëron shkrimin e tij edhe me foto të bëra gjatë diskutimeve të zhvilluara.
Mirëpritja
Gjatë qëndrimit në Shkodër, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama u shpreh i mrekulluar nga përzemërsia dhe besimi i qytetarëve të cilët takoi në Shkodër. Në një postim sërish në rrjetin social Rama shkruan se besimin e marrë do tjua kthejë qytetarëve me punë të ndershme. I mrekulluar nga përzemërsia e besimi i qytetarëve që takova në rrugët e Shkodrës. Do t’ua kthej me punë të ndershme e të palodhur për ta!, shkruan Rama në rrjetin social Facebook. Kjo do të jetë mbledhja e fundit e qeverisë së re pasi në datën 9 shtator do të nis nga puna parlamenti i ri, ku to të votohet edhe qeveria e re. Pas miratimit të Kuvend, dekreti do ti kalojë Presidentit, Bujar Nishani i cili ka afat 10 ditë për të bërë dekretimin e qeverisë së re. Sipas burimeve, ministrat e rinj pritet që të marrin zyrtarisht mandatin në datën 12 shtator.