E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha zhvillon nesër mbledhjen e fundit të qeverisë, gati dorëheqjet

sali-berisha-ne-makine-me-dorePas tetë vitesh në pushtet, qeveria aktuale do të zhvillojë nesër mbledhjen e saj të fundit. Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, pritet të thërrasë të enjten në orën 11:00 mbledhjen e fundit të kabinetit të drejtuar prej tij. Në këtë mbledhje kryeministri Berisha pritet që tu kërkojë të gjithë zëvendësministrave që të japin dorëheqjen nga postet që mbajnë. Kështu pas dorëheqjeve të këshilltarëve politikë, dorëheqjen këtë javë do ta japin edhe personat e tjerë të cilët mbajnë një post politik. Vetë Berisha ka deklaruar se qeveria e re do të gjejë në zyrat e saj vetë punonjësit e administratës për të cilët kryeministri në detyrë është shprehur se Rama do ti largojë me fshesë ata nga vendet e punës.

Dorëheqjet në kryeministri

Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të zhvilluar kërkoi që të jepnin dorëheqje të gjithë këshilltarët e tij politikë. Kështu pas këtij vendimi të Berishës, të gjithë këshilltarët e kryeministrit kanë paraqitur dorëheqjet e tyre. Të vetmit të cilët ende nuk kanë dorëzuar detyrat e tyre, janë Oerd Bylykbashi shef i kabinetit të kryeministrit dhe zëdhënësja e kryeministrisë, Erla Mëhilli. Të dy këta pritet që të largohen nga kryeministria ditën e largimit të kryeministrit Berisha.

Ministrat

Nga ana tjetër ministrat e kabinetit Berisha do të vijojnë të jenë në detyrë deri në ditën e fundit të ndërrimit të pushteteve. Në mbledhjen e parafundit të qeverisë, Berisha u kërkoi ministrave që të bëjnë gati dosjet për pasardhësit në çdo dikaster. Zotërinj ministra, jemi në mbledhjet e fundit dhe kërkoj në mënyrë të vendosur që pasardhësve tuaj tu lini në tavolinë listën e projekteve në vazhdim dhe, për çdo projekt në vazhdim, në drejtorinë përkatëse duhet të jetë dosja të cilën duhet ta keni kontrolluar. Të mos harroni se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe mund të thonë se nuk gjetëm dosje. Ndaj, një kopje të dosjes do ta merrni me vete dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Kjo do të bëhet, tha Berisha.

Hiqet edhe logoja nga selia e vjetër e PD

Mesditën e djeshme, nga selia ku PD ka qëndruar për gati 20 vjet, është hequr edhe logoja kryesore që qëndronte në fasadën e ndërtesës. Një autovinç i Bashkisë së Tiranës është përdorur për të zhvendosur edhe simbolet e fundit nga shtëpia tradicionale e demokratëve. Logoja e hequr pritet që të vendoset tek godina e re e demokratëve, ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Këtë javë pritet që të bëhet edhe zhvendosja përfundimtare e demokratëve në selinë e re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›