Mbyllet numërimi i votave të hedhura gabim – Basha, kryetar bashkie me 95 vota më shumë

Duke lexuar vullnetin e çdo tiranasi, KQZ ka mundësuar leximin e barabartë të çdo vote. Sot del akti formal që e shpall Lulzim Bashën, kryetar të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që çfarëdolloj apelimi socialist për pavlefshmëri shndërrohet thjesht në formalitet
Përfundon numërimi për 11 njësi bashkiake të Tiranës, kandidati demokrat në avantazh ndaj rivalit socialist. Pas përfundimit të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka rezultuar në avantazh ndaj rivalit të tij socialist, Edi Rama. KQZ e mbylli procesin me numërimin e fletëve të pa numëruara në kutitë e njësisë 11, KZAZ nr. 55, që është dhe njësia e fundit që përmbyll këtë proces, në kuadër të zgjedhjeve vendore për bashkinë Tiranë.
Vetë zëvendësambasadori i OSBE, Dan Redford, vëzhgoi procesin e numërimit. Nga numërimi rezultoi se në garën për Bashkinë e Tiranës kandidati demokrat, Lulzim Basha është në avantazh me 95 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama. Në mbyllje të procesit të numërimit të fletëve të hedhura gabim të 11 minibashkive të kryeqytetit, kreu i KQZ-së Arben Ristani e quajti atë një proces të vështirë, por korrekt.
Ai falënderoi të gjithë përfaqësuesit e partive politike, vëzhguesit dhe stafin e KQZ-së. Por menjëherë ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste, ku përfaqësuesi ligjor i kësaj force politike në KQZ-së, Genci Gjonçaj e ka konsideruar si të pavlefshëm procesin e numërimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku zëdhënësi Leonard Olli tha se procesi ka qenë transparent ndërsa administrata po punon për kalkulimin e të dhënave për tu përfshirë në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kryeqytetin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej 6 ditësh, në zbatim të urdhrit të Kolegjit Zgjedhor, ka ngritur 8 grupe pune për numërimin e fletëve të hedhura gabim në të 11 minibashkitë e Tiranës. Në këtë mënyrë i janë nënshtruar procesit të numërimit të fletëve të hedhura gabim 1793 kuti nga të cilat dolën 498 vota për kandidatët për kryetar. Në përllogaritjen q ë u bëhet shifrave rezulton që kandidati demokrat ka thelluar avantazhin duke shkuar në 95 vota më shumë se sa rivali socialist Edi Rama. Nga ky numërim Lulzim Basha ka marrë gjithsej 256 vota ndërsa Edi Rama ka marrë 242 vota. Diferenca prej 14 votash i shtohet rezultatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prej 81 votash në avantazh për Bashën duke e çuar këtë shifër në 95 vota.