“Raporti i Bankës Botërore, nxitje për vendin tonë”

Ministria e Punëve Publike Ministria e Punëve Publike dhe Transportit nuk mund të prononcohet zyrtarisht në lidhje me studimin e publikuar një javë më parë në Bruksel nga Banka Botërore, për aq kohë sa, një studim i tillë nuk ka mbërritur në rrugë zyrtare pranë kësaj ministrie. Drejtues të MPPT deklaruan se, “jemi në pritje të këtij studimi, që do të prezantohet pranë zyrave të Bankës Botërore në vendin tonë gjatë muajit shtator, rezultat i cili do të përdoret si një element stimulues për përshpejtimin e reformave në hekurudhë”. Një javë më parë Banka Botërore publikoi studimin “Reforma hekurudhore në Evropën Juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur?”, objektivi i të cilës, sipas Carolina Monsalve, ekonomiste për Transportin pranë Departamentit të Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, është të shërbejë si një nxitje për nevojën e ngutshme për përshpejtimin e procesit të reformës, që sipas saj, “vendet, të cilat kërkojnë të jenë anëtare të BE-së, duhet ta kuptojnë se ecja me hap të përshpejtuar në këto reforma do t’i rrisë shumë mundësitë e tyre për të marrë një opinion pozitiv nga BE-ja në lidhje me aktet normative të transportit hekurudhor, si edhe do ta fuqizojë rritjen ekonomike të tyre”. Në raport theksohej se ka tri arsye kryesore për vendosjen e prioritetit në reformën e sektorit hekurudhor; së pari, për të siguruar respektimin e kërkesave të direktivave përkatëse të BE-së; së dyti, vendet mund të fillojnë të marrin përfitimet e parashikuara, nga miratimi i këtij kuadri institucional dhe së treti, kur të futet konkurrenca, operatorët shtetërorë të hekurudhave të jenë në gjendje të konkurrojnë me operatorët e rinj dhe të mos kenë nevojë për nivele më të larta mbështetjeje nga shteti.
...