E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet seanca e parë e Kuvendit të ri, Arvizu dhe Sequi: Ditë për t'u festuar

TIRANE - “Më nderin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII- të kuvendit të Shqipërisë”, më këto fjalë të deputetit Namik Dokle u çel seanca e parë e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, ku të gjithë deputetët qëndruan në këmbë.

Seanca pas refuzimit të ish-kryeministrit të vendit Sali Berisha u hap nga Namik Dokle si deputeti më i vjetër, i cili në fjalimin e tij të shkurtër nuk harroi të vinte në dukje nisjen e seancës pa bojkot nga palët, teksa u bëri apel grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe mirëkuptim në respekt të votës së popullit.

Dita e sotme shënoi konstituimin e trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh, të cilët do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Seanca u ndoq nga presidenti Nishani, zyrtarë të lartë të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare etj. Deputetët e koalicionit të majtë i propozuan Presidentit Bujar Nishani mandatimin e Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë. 

Seanca e parë parlamentare u ndoq nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare, si dhe nga drejtues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri. Të pranishëm në sale edhe familjarët e viktimave të 21 janarit.

Në këtë seancë të parë u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë, që u zgjodhën sot. Ky komision ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve.

Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, pra më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.

Në seancën e sotme u zgjodh edhe Sekretaria e Përkohshme e Kuvendit, me anëtarë 3 deputetët më të rinj të Kuvendit, (Ylli Shehu, Olta Xhaçka dhe Klajda Gjosha). Më pas, drejtuesi i seancës komunikoi vendimin për thirrjen nesër të parlamentit (ora 11:00), ku pritet paraqitja e raportit të verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët më pas do të bëjnë dhe betimin.

NISHANI MERR PROPOZIMIN E KOALICIONIT TË MAJTË
Ora 19:25 Pas mbylljes së seancës së sotme parlamentare, në çelje të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, iu drejtuan të hënën Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, me një kërkesë në emër të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane", me anë të së cilës propozuan emërimin e zotit Edi Rama, si Kryeministër të Republikës së Shqipërisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, zyra e Presidentit njofton se ky vendim i maxhorancës së re, mbështetet në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

PALOKA: NE OPOZITË LUAJALE, NUK KA FRAKSIONE BRENDA PD
Ora 19:20- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka në një prononcim për News 24, u shpreh se opozita e re do jetë luajale dhe e ndershme, ndërsa do presë me padurim që kryeministri i ri të përfshijë në programin e qeverisë, sic tha ai premtimet e bëra në fushatë.

“Ne do jemi opozitë luajale dhe e ndershe, nuk do bazohemi në shpifje dhe dhunë kur të mos kemi argumenta. Ne do mbajmë qëndrim luajal jo vetem ndaj qytetarëve, por edhe ndaj kësaj mazhorance nëse ndonjëherë do shohë interesat e qytetarëve. Por nëse do ta përdorë pushtetin për ëndrrat e Kocove të Ramës, do ti kthehen ëndrrat në mankthe”, tha Paloka.

Ai hodhi poshtë zërat për ekzistencën e disa fraksioneve brenda kësaj partie. Sipas tij, “Brenda PD nuk ka fraksione dhe grupe, ka mendime ndryshe por kjo s’do të thotë që ka fraksione, është diçka normale”, komentoi ai.

RAMA PROPOZOHET SI KRYEMINISTËR TEK NISHANI 
Ora 19:00 Aleatët dhe deputetët e PS-së firmosin kërkesën për Presidentin e Republikës Bujar Nishani për të mandatuar formimin e qeverisë së re. 

Sipas Kushtetutës (neni 96), Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës së re, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

META: MBARËVAJTJE DEPUTETËVE DHE LEGJISLATURËS SË RE
Ora 18:40- Pas seancës së parë të Kuvendit, kreu i LSI-së, Ilir Meta që pritet të mbajë që nga dita e nesërme edhe postin e kryetarit të Kuvendit bëri një urim të shkurtër. Në një prononcim për News 24, Meta i uroi “Mbarëvajte deputeteve dhe legjislaturës së re”.

ARVIZU DHE SEQUI: SFIDA E PARLAMENTIT, INTEGRIMI
Ora 18:35 Kreu i prezencës së BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe ambasadori në ikje i SHBA-së Aleksandër Arvizu të cilët e kanë përcjellë nga salla zhvillimin e seancës plenare e kanë cilësuar si ditë historike celjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar. Ambasadorët i kanë bërë apel klasës politike që të fokusohet tek integrimi evropian i vendit.

“Mendoj se është një ditë e rëndësishme. Sot është një ditë historike pasi ky Parlament nis me prioritete të pastra , integrimit në B, të cilën shpresoj se do e marrë së shpejt”, tha Sequi.

“Dëshiroj të shpreh përgëzimet më të mira në emër të SHBA 140 deputetëve të sapo zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë. Rreth 40% janë të rij dhe 40 % prej tyre po rikthehen. Gjithashtu shumë i kënaqur me numrin e grave të zgjedhur si deputete dhe në qeveri. Qartazi kjo është ditë për tu festuar për popullin shqiptar. por pra ka shumë punë për tu bërë. Të gjithë do jenë këtu, presim me kënaqësi zhvillimin e debate konstruktive që do të zhvillohen për axhendën evropiane ë vendit. Sa i përket SHBA jemi të kënaqur që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si me mazhorancën e vjetër ashtu dhe të re”, tha Arvizu.

NGRIHET KOMISIONI PËR VERIFIKIMIN E MANDATEVE TË DEPUTETËVE
Ora 18:30- Në këtë seancë të parë u ngrit edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë dhe ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci propozoi emrat e 4 anëtarëve të këtij komisioni nga radhët e PS. Ata janë Armando Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Mucmata.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili propozoi deputetin Vanfgjel Tavo si anëtarin e 5-të të këtij komisioni.

Edhe kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka propozoi 4 emrat që do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Ata janë Voltana Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani.

Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, pra më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.

CELET SEANCA, DOKLE: DUHET BASHKËPUNIM POZITË-OPOZITË
Ora 18:10-Nën tingujt e himnit kombëtar, Kuvendi i Shqipërisë nisi të hënën punimet e legjislaturës së VIII-të. Ky moment shënoi dhe fillimin e drejtimit të vendit nga qeverisja e majtë, si fituese e zgjedhjeve të 23 qershorit. Seanca ku mori pjesë dhe presidenti Bujar Nishani ashtu sic ishte paralajmëruar u cel nga deputeti më i vjetër në moshë, Namik Dokle. 

"Në nderimin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjeçare në këtë tempull demokratik, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të Legjislaturës së 8-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë, që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu, por para të gjithash e mbi të gjitha, falë popullit shqiptar që si një sfinsk i heshtur, i mënçur dhe i përmbajtur, larg zhurmave dhe tamtameve fushateske, vendosi me votën e tij, të ndryshojë mënyrën dhe ritmin e udhëtimit të Shqipërisë drejtë Europës së bashkuar, vendosi ta bëjë atë më të ndershme, më të mënçur, më të saktë dhe më të shpejtë", tha Dokle. 

Ai shtoi më tej se "ai na dha të gjithëve një mesazh të qartë kundër politikave arrogante, prepotente dhe plaçkitëse, na bëri thirrjen e madhërishme që më të bukur se kushdo, e ka shprehur Nënë Tereza :Ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është dëshpërimi, të sjellë shpresë, ku është dyshimi të sjellë besim, ku është ndarja të sjellë bashkim". 

Deputeti Dokle uroi që "të gjithë të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit, duke mos harruar se ajo na kërkon përkushtim, pasion dhe ndershmëri. Kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë dhe opozitë sepse aty ku mungon mirëkuptimi edhe qëllimet e mira bëhen të padobishme".

Drejtuesi i seancës uroi dhe deputetët të cilët ulen për herë të parë në karriget e Kuvendit. "Ju që hyni këtu, të lini jashtë tempullit mendjemadhësinë , interesin meskin, mosmirënjohjen ndaj njerëzve të thjeshtë. Merreni me vete çdo gjë të mirë të popullit që u ofroi e mbi të gjitha dashurinë për Shqipërinë tonë", përfundoi Namik Dokle.

Ndërkohë, gjatë seancës kamerat fokusuan në sallë dhe ish-kryeministrin e vendit Sali Berisha, i cili refuzoi drejtimin e seancës plenare.

RAMA PËR HERË TË PARË NË KUVEND
Ora 18:00 Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama mbërriti i përpiktë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Rreth orës 18:00 kamerat e News24, fokusuan kreun e PS-së duke u futur në derën hyrëse të Kuvendit.

Rama ulet për herë të parë në sallën e Kuvendit si deputet, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku fitoi i pari në listën e PS-së në Qarkun e Vlorës. 

AMBASADORËT DHE KOMUNITETET FETARE NË KUVEND
17:30 Ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë si dhe përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare do të ndjekin nga salla çeljen e legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. 

Në seancë janë të pranishëm edhe familjarë të 4 viktimave të 21 Janarit.

Deputetët e rinj po mbërrijnë në mjediset e selisë së parlamentit shqiptar dhe bashkë me ta dhe zyrtarë të lartë të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik, të komuniteteve fetare etj. Kjo mbledhje e parë e deputetëve pritet të jetë më shumë ceremoniale, sepse nuk do të ketë as betim dhe as ndonjë vendim. 

BERISHA: NUK DO E HAP UNË SEANCËN: KY ‘PARLAMENT I DROGËS’
I takonte atij si deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, por ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të hapë seancën e parë të Parlamentit të ri. Ish kryeministri dhe kryetari i PD-së, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, njoftoi se nuk do të jetë ai që do të hapë punimet e Kuvendit nesër pasi kjo mazhorancë sipas tij është ngritur mbi mashtrimin, krimin, paratë e drogës.
"Une refuzoj te hap neser punimet e Kuvendit. Mazhoranca e Piktorit është ngritur mbi mashtrimin, krimin, paratë e drogës” shkruan Berisha.

Por, pasi ai ka bërë të qartë se refuzon ta drejtojë këtë seancë, ajo i takon ish-nënkryetarit Namik Dokle, i cili ka tashmë 22 vjet jetë parlamentare dhe përvojë në drejtim. Do të jetë Namik Dokle që do të caktojë më pas tre deputetë me moshën më të re që të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit.

MANDATET SIPAS PARTIVE REZULTOJNË SI MË POSHTË:
1. Partia Socialiste - 65 deputetë
2. Partia Demokratike - 46 deputetë
3. Lëvizja Socialiste për Integrim - 16 deputetë
4. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet - 5 deputetë
5. Partia Republikane - 4 deputetë
6. Partia Demokristiane - 1 deputet
7. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar - 1 deputet
8. Partia Kristian Demokrate Shqiptare - 1 deputet
9. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut - 1 deputet 

3 GRUPE PARLAMENTARE
Në Kuvendin e ri pritet të funksionojnë tre grupe parlamentare, përkatësisht grupi parlamentar i Partisë Socialiste, grupi i Partisë Demokratike dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa janë të përfaqësuara me deputetë 9 parti.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit u shpall fitues koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" i udhëhequr nga Partia Socialiste, i cili mundi të sigurojë 83 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim" me 57 deputetë.

8 LEGJISLATURA
1- Parlamenti i vitit 1991, 250 deputete, Partia e Punës 169 deputetë. Partia Demokratike forca e parë politike e pluralizmit, mundi të sigurojë 75 deputetë. Kryetari i parë i Kuvendit ishte Kastriot Islami dhe zëvendës të tij, Aleksandër Meksi dhe Lush Përpali. 

2- Legjislatura e dytë 1992 deri në vitin 1996. Në Parlamentin me 140 deputetë, PD kishte 92 deputetë, PS 38 të zgjedhur, ndërsa 10 të tjerë, vinin nga partitë e vogla. Përgjatë 4 viteve Kuvendi u drejtua nga Pjetër Arbnori, një ish-i burgosur i regjimit komunist. 

3- Legjislatura e tretë që u kostituua në vitin ’96. Zgjedhjet e kontestuara sollën 122 deputete te PD, 10 të zgjedhur socialistë, ndërsa partitë e vogla kishin 8 deputetë. 

4- Parlamenti që doli nga zgjedhjet e parakohshme të vitit ‘97 dominohej nga Partia Socialiste me 101 deputetë,
PD-ja me 29 mandate, dhe partitë e vogla 25 deputetë. Ky Parlament kishte 155 deputetë, kryetar i tij ishte Skënder Gjinushin. 

5- Legjislatura e 5-të 2001-2005. Parlament, PS kishte 76 deputetë, PD 32 dhe partitë e vogla siguruan plot 22 deputetë. 

6- Zgjedhjet e 3 korrikut 2005 rikthyen në pushtet të djathtën e cila siguroi në Kuvend 84 mandate, por vetë PD-ja mori vetëm 54 deputetë. Në krye të Parlamentit për here te pare u vu një zonje, Jozefina Topalli, e cila drejtoi këtë institucion, për 8 vite me radhë. 

7- Në zgjedhjet e vitit 2009 vota mes të djathtës dhe të majtës u nda në mënyrë të barabarte dhe secili krah mori 70 deputetë, por falë aleancës mes PD dhe LSI, Sali Berisha u votëbesua ne Parlament, për një mandat të dytë qeverisës me 74 vota. 

8- Procesi zgjedhor i 23 qershorit, risolli pas 8 vjetësh ne pushtet te majtën me 83 mandate, fale rikthimit te LSI-së ne koalicion me socialistet. E djathta u ‘rrudh’ në 57 mandate. 

SOT SEANCA E KUVENDIT
Kjo mbledhje e parë e deputetëve pritet të jetë më shumë ceremoniale, sepse nuk do të ketë as betim dhe as ndonjë vendim. Sipas rregullores së Kuvendit, fillimisht do të ekzekutohet himni kombëtar e më pas do të bëhet hapja e seancës. Seancën e parë e drejton deputeti më i vjetër, në bazë të rregullores, e këtë herë koincidon me kryeministrin në largim, Sali Berisha. Por, pasi ai ka bërë të qartë se refuzon ta drejtojë këtë seancë, ajo i takon ish-nënkryetarit Namik Dokle, i cili ka tashmë 22 vjet jetë parlamentare dhe përvojë në drejtim. Do të jetë Namik Dokle që do të caktojë më pas tre deputetë me moshën më të re që të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit.

Në seancën e pasdites së sotme janë ftuar pjesëtarë të trupit diplomatik. Ndërkohë, administrata e Kuvendit ka përgatitur për çdo deputet nga një dosje të veçantë, ku përfshihen Kushtetuta, rregullorja e Parlamentit, si dhe statusi i deputetit. Një risi në këtë legjislaturë janë kompjuterët e vendosur në sallën e seancave për çdo deputet. Tashmë ata do t’i studiojnë projektligjet përmes kompjuterave. Do të jetë KQZ-ja më pas që do t’i delegojë Kuvendit zëvendësimin e tyre me emrat e rinj të deputetëve. Kjo është një procedurë që pritet të zgjasë në kohë. (Gazeta Shqiptare)
(e.m/ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Paloka: Ne opozitë luajale, nuk ka fraksione brenda PD Legjislaturat Parlamentare 1991-2013 Qeveria e re, çfarë parashikon Kushtetuta? Arvizu dhe Sequi: Sfida e parlamentit të ri, integrimi në BE  Berisha jep dorëheqjen si kryeministër tek Presidenti  Petrit Vasili zgjidhjet kreu i Grupit Parlamentar të LSI PD, Basha-qeverisë së re: Kush tërhiqet nga premtimet, përballet me pasojat Berisha: Refuzoj të hap punimet e Kuvendit. Rama mashtron si Papandreu FOTO: Nis punimet Kuvendi i ri i Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›