Luarasi bashkon elitën e pedagogëve

Administratorja e universitetit Luarasi, Dajena Kumbaro
Kasta e mësimdhënësve të drejtësisë ka në fokus studentët. Ne sjemi tregtarë , por prodhues diplomash cilësore.
Një kastë pedagogësh që reflekton eksperiencën më të mirë në fushën e drejtësisë. Janë të gjithë bashkë tek universiteti “Luarasi” për tu ofruar studentëve maksimumin e dijeve në këtë fushë. Administratorja e këtij universiteti, Dajena Kumbaro, e cila vjen nga një jetë e pasur akademike dhe një aktiviste e të drejtave të njeriut, duke mbajtur poste të larta në disa agjenci të OKB-së, si dhe në Këshillin e Europës,në intervistën e saj për gazetën tregon risitë që do të sjellë elita e mësimdhënësve.
Znj. Kumbaro vëmë re se universiteti “Luarasi” është një universitet i vogël, me numër të kufizuar studentësh dhe degësh? A nuk mendoni se edhe ju duhet të zgjeroheni, ashtu siç kanë bërë shumë universitete të tjera private në vend?
Më lejoni t’u përgjigjem të dyja pyetjeve që ju bëni.
Për sa i përket numrit të degëve, kjo ka të bëjë me fokusimin e universitetit në fushën e drejtësisë. Në këto 8 vite ne kemi konsoliduar këtë program. Kështu, e gjithë vëmendja jonë është këtu, ndryshe nga ç’mund të ndodhte po të kishim 10 apo 20 degë për të administruar. Realiteti shqiptar është një realitet i turbulluar, por me kalimin e kohës gjërat do të kthjellohen dhe do të kemi një rregullim të vetë shoqërisë dhe tregut. Ne jemi këtu për një rrugë të gjatë, prandaj duam t’i hedhim hapat e sigurt. Sigurisht, i konceptuar si një universitet i lidershipit, ne mund të ofrojmë në të ardhmen disiplina, të cilat synojnë formimin e liderëve të rinj, por në çdo rrethanë kjo do të jetë e limituar dhe këto do të jenë hapa shumë të matur.
Për sa i përket numrit, profesor Aleks Luarasi si themelues, e më pas e gjithë trupa akademike dhe administrative, ka pasur të qartë se po drejtojmë një universitet elitar. Një universitet elitar nuk mund të jetë masiv, pasi këto gjëra do të binin ndesh me njëra-tjetrën. Deri më sot kemi diplomuar rreth 1000 studentë dhe nëse ata studentë nuk do të ishin të përzgjedhur, sot nuk do të kishim të punësuar rreth 80 % të tyre, por shumë më pak. Studentët tanë që kanë fituar shkollën e Magjistraturës, ata që punojnë në poste të larta në administratën shtetërore dhe në organizatat ndërkombëtare, na bëjnë të besojmë se nuk kemi gabuar.
A nuk mendoni se të mblidhni tërë këta profesorë të shquar është një kosto tepër e madhe për një universitet që nuk është masiv? Mos ndoshta keni një ambicie më të madhe se universiteti juaj?
Universiteti i Kairos ka 200 000 studentë. Universiteti i Harvardit ka 21 000 studentë, pra 10 herë më pak. Se kush ka ambicie më të madhe, ju mund ta dalloni qartësisht. Nuk është numri ai që përcakton madhësinë, por pesha e diplomës. Ajo që dua të theksoj është se ne kemi synuar të jemi një universitet prestigjioz, të ofrojmë një edukim cilësor dhe lëshojmë një diplomë me reputacion në treg. E kemi arritur këtë me shumë punë, dhe do të vazhdojmë ta mbajmë me çdo kosto.
Cila është e vërteta e renditjes së universiteteve në Shqipëri? Kemi dëgjuar shumë universitete që shprehen se kanë dalë të parët në këtë renditje. Po ju në cilin vend jeni?
Do më lejoni të mbaj një qëndrim vetëm për universitetin “Luarasi”, pa dashur të analizoj fushatat e marketingut të universiteteve të tjera private. Vitin e shkuar, në një projekt privat, MASH së bashku me Qendrën për Zhvillimin e Arsimit të Lartë, me qendër në Gjermani, bëri një vlerësim të universiteteve private dhe shtetërore në Shqipëri. Në rezultatet finale nuk pati një renditje, kështu që nuk pati të parë apo të dytë, por sigurisht që pati tregues vlerësimi. Në fund, universiteti “Luarasi” u vlerësua më nota shumë të larta, veçanërisht për reputacionin në arsim dhe kërkimin shkencor.
Ju e dini se reputacioni i diplomës së tij është shumë i rëndësishëm për një të ri që kërkon të ketë sukses në tregun e punës.
Përse duhet që një student të zgjedhë universitetin tuaj, në një kohë që ai mund të studiojë në një universitet shtetëror apo në një universitet privat që ofron çmime më të ulëta?
Në lidhje me çmimet e ulëta te disa institucioneve arsimore private, nuk më takon mua të gjykoj, por mendoj se çdo student apo prind mund të bëjë një llogaritje personale të shpenzimeve të nevojshme që mund të ketë një institucion arsimor, pagesa për një pedagog të kualifikuar, shpenzimet për përgatitjen e kurrikulave, stafi administrativ, shpenzimet e tjera të nevojshme dhe më pas të bëjë një total për të kuptuar se deri në ç’nivel një çmim mund të garantojë ende cilësi. Mos harroni që edhe kopshtet private në Shqipëri kushtojnë mbi 2000 euro.
Për sa i përket universitetit publik, kjo sigurisht që është një zgjedhje e studentit. Ai mund të zgjedhë mes një universiteti publik, ku auditorët janë të tejmbushura për shkak të numrit më të madh se kapacitetet, ku pedagogët marrin paga aspak stimuluese dhe ku lidhja e shkollës me tregun e punës thuajse nuk ekziston. Sigurisht që e gjithë kjo ofrohet me një çmim më të ulët, por po kështu është edhe shërbimi që merret.
Znj. Kumbaro, dua t’ju bëj një pyetje e cila nuk lidhet vetëm me universitetin tuaj. A mund të mbetet në klasë një student i cili studion në një universitet privat? E bëj këtë pyetje nisur nga fakti se ai paguan disa mijëra euro për shkollimin e tij.
Ashtu siç e thatë edhe ju, një student paguan për shkollimin e tij dhe jo për notën që merr. Duke qenë kështu, çdo student e ka të qartë se kur nënshkruan kontratën, ai nuk ka përfituar një produkt, siç mund të jetë diploma, por një shërbim, siç është arsimimi i tij. Mendoj se kjo është e qartë për studentët tanë, pasi ata e dinë që nëse nuk do të vepronim kështu, as diploma e tyre nuk do të kishte vlerë. Universiteti “Luarasi” është vlerësuar për reputacionin në arsim, pikërisht sepse nuk kemi pranuar asnjëherë të tolerojmë në këtë pikë. Prandaj, jam e bindur se të gjithë studentët janë të lumtur për këtë fakt, pasi ata e dinë që pavarësisht çfarë note kanë në librezën e tyre, askush nuk dyshon për vërtetësinë e saj.
Kujt do t’i shërbente një Master? Dhe a ia vlejnë tërë ato para për një diplomë të tillë?
Së pari, dua të them se nëse flasim për shpenzime, studentët tanë arrijnë t’i fitojnë paratë e shpenzuara për një master në universitetin tonë, brenda 6 muajve të parë të punësimit të tyre. E parë nga ky këndvështrim, është një investim që ia vlen.
Se kujt do t’i shërbente një master profesional apo master shkencor, kjo pastaj është diçka që sigurisht varet nga interesat e individit dhe aspiratat për karrierë. Masteri shkencor i nevojitet çdo juristi që ka mbaruar studimet 3-vjeçare Bachelor dhe kërkon që të ketë një karrierë në drejtësi. Pa një master shkencor ai nuk mund të bëhet as gjyqtar, as prokuror dhe as avokat. Në kushte të tilla, mundësitë e tij të punësimit në profesion janë minimale.Për sa i përket masterit profesional në Drejtësi, ai i shërben të gjithë atyre të rinjve që pavarësisht studimeve të tyre, kërkojnë të specializohen në një fushë të caktuar. Ne ofrojmë masterin profesional “Administrim Publik”, i cili është një master që i jep mundësi të diplomuarve të punësohen në administratën shtetërore, në sektorin privat si edhe në institucionet ndërkombëtare, apo të punësuarve në administratë për të përparuar në karrierë, e mbase për të ruajtur vendin e tyre të punës.
Po të flasim në gjuhën e shifrave, mundësitë e punësimit për një të dipl