E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti turistik Studenti?

Magdalena Alla

Si të duket krahasuar me pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ke qenë vetë studente?. Pyet kureshtare kujdestarja më e vjetër e Qytetit Studentit, Elida Abdiu. Plot njëzet vjet në drejtimin e të dikurquajturës godinë, por sot shqip Bujtina 24. E njëjta pyetje edhe në të tjera bujtina, kur i viziton, fotografon. Përsëritja e të njëjtës pyetje dhe mënyra gjithë krenari se si pyesin punonjësit që kanë mbetur aty, mbart vetëdijësimin e ndryshimit për mirë. Madje më mirë se çmund ta imagjinonim. Për mua ka ndryshuar katërcipërisht, shton Elida. E kishim pritshmërinë keq, por ndihemi vërtet mjaft mirë. Kushtet themelore i kemi. Tek Bujtina 21 ku qëndrojmë ne është edhe mjaft qetë, thonë studentet e sapoardhura në vitin e parë për drejtësi, Klan Ogrenaj dhe Venera Agolli.

Një përgjigje stereotip edhe nga mjaft të tjerë kjo. Rreth e qark natyrshëm rinjihet gjithë struktura e qytetit legjendë për njëzet breza studentësh shqiptarë, edhe pse mveshja e tij deri në qelizë ka ndryshuar jo pak. Edhe fjala konvikt nuk përdoret më. Edhe suvatimet dhe ngjyrat e lyerjeve tashmë janë bashkëkohore.

Edhe në sallonin pritës të çdo bujtine, arredime komode, frigorifer me ushqime kundrejt monedhave, kabinë telefoni dhe rregullore të varura në mur. Edhe një recepsioniste non stop, që nuk lejon askënd të futet pa leje. Aty edhe numri vetjak i vetë drejtorit të Qytet Studentit në dispozicion të studentëve në rast ankesash.

Çdo bujtinë katin e parë e ka kat shërbimi. Me sallë leximi, internet, dushe, lavanteri, kabinë telefonike. Nëse futesh në dhoma, pavarësisht se me jo kushedi se çfarë komoditeti, raftet, dollapët, krevatët, dyshekët, batanijet janë të reja dhe nuk ka më dhoma katërshe, por maksimumi treshe. Vetëm frigoriferët dhe televizorët ende mungojnë dhe studentët i sjellin si dikur vetë. Por mbi të gjitha rregull dhe qetësi.

Askush nuk mund të ulërijë apo ngrërë muzikën brenda bujtinave, si një herë e një kohë. Nuk ka më as korrupsion në QS, pasi nëse kemi probleme të tilla, mund të ankohemi në drejtori, thotë studentja e mjekësisë, Fajtona Mana. Bujtinat qarkohen nga parqe të ripërtërirë apo miniparqe të rinj me bollëk, shtuar këto vite. Më i riu me emrin Tri manjolat. Po edhe stola, ndriçime rrugësh, të përforcuara edhe nga shkëlqimi i rrjetit të ri të dyqaneve anash tyre. Ambulancë me shërbim njëzet e katër orësh, shërbimi teknik, policor në gatishmëri nga të gjitha anët.

Gjen aty ku ka qenë edhe të parin legjendar dhe nostalgjik Hamburger, me po atë tabelë të pandryshuar. Posta po aty. Edhe marketët e vjetër aty kanë mbetur. Janë zgjeruar në hapësira, përmirësuar në kushte, sikurse edhe fitimet prej studentëve. Duke joshur të çelen të tjerë e të tjerë dyqane shërbimesh, aq sa të marrin edhe frymën.

Më shumë në bar-kafe, se sa në biblioteka

Një nga të përpjetat drejt Qytet Studentit, e famshmja Rruga Budi, sot është një befasi më vete kur e përqas me tatëpjetën kohore të viteve para dhe pas 90-ës. Jo prej asfaltit, i mbetur siç ka qenë, me po atë rrëke uji fund e krye, por nga ndërtesat e shërbimeve anash saj, sa në shërbim të nevojave parësore të studentëve, por edhe e kundërta.  Kemi kërkuar dhe nuk e kemi gjetur dot shkakun nga del ai ujë. Tubacionet janë ende të vjetra, shpjegon Bujar Brovina, drejtori prej gjashtë vjetësh i Qytet Studentit, autori i ndryshimeve kryesore në QS. Ndërsa dyqanet janë sidomos internet-kafe, fotokopje, fast-food, mensa, parukeri. Edhe banka, universitete private. Por edhe një mori bar-kafeshë dhe bastesh sportivë njëri pas tjetrit. Bare të stërzgjatura deri në tridhjetë metra, të mbushura përherë plot e buçitëse, imponuese dhe çoroditëse nga muzika e lartë, si gjatë ditës edhe gjatë natës. Pa frikë mbi 70 decibelë si në ish-Bllok apo si në zona turistike plazhi edhe me posterat se ka ardhur x këngëtar apo x dj. Dhe fare afër bujtinave studentore dhe sallave të leximit. Nuk lexojmë dot nga zhurma, përgjigjen ata që duan të lexojnë.

Ka mbetur e vetme libraria dhe biblioteka me dhjetë salla leximi, ku pavarësisht se gjen duke lexuar apo lundruar në internetin e vënë falas aty, janë fare të papërfillshëm në numër ndaj atyre që qëndrojnë jashtë nëpër bare apo grupe-grupe nëpër rrugë e trotuare. Duke folur pa pushim e duke parë se kush kalon. Salla leximi ka edhe në çdo godinë, por edhe aty e njëjta gjendje. Studentët numërohen me gishtat e dorës

Kur sterronin batanijet e dyshekët

Ndryshimin e parë pas 90-ës Qyteti Studenti e provoi në kohën e kryeministrit Majko, kur u katërfishuan investimet, që bënë të mundur heqjen e mobiljeve të vjetra të realizmit socialist. Ndryshimi tjetër gradual është bërë edhe gjatë drejtimit gjashtëvjeçar të drejtorit aktual të QS, Bujar Brovina. Studentët e viteve të fundit nuk i kanë provuar sustat gropë dhe dyshekët me cipë të sterrosur nga shenjat e ndryshkut, e të mbushura me pambuk apo batanijet e leshit të pluhurosura, kujton 37-vjeçari, Gentian Mirashi, ish-studenti i Fizikës. As dollapët e bukës prej kompesate të mykur. As mbushjen e ujit në vilat rrotull të ashtuquajturave godina dhe ngjitjen deri në kat të pestë me krahë në kulmin e stinës së verës dhe në sezon provimesh, kujton 36-vjeçarja, ish-studente e Letërsisë, Anila Frroku. As sallat e studimit apo sallat e bibliotekës akull të ftohta e me mobilim të vjetër që të largonin dëshirën e studimit, kujton po studentja e Letërsisë në 94-98, Aida Kristo. Kujtoj kur na mungonte uji. E për çfarë të mbushje më parë, për tu larë përditë, për të gatuar, për të larë rroba me dorë, enët, e pas gjithë këtyre kalvareve duhet edhe të mësoje kujton më tej Aida rikthimin në Qytet Studenti pas tre muajve pezullim të të gjitha shkollave në të gjithë vendin në vitin 1997.

Shumëçka ka ndryshuar në Qytetin Studenti. Si në sipërfaqe, e si në brendësi të tij. Sidomos për mirë në pikëpamje të kushteve. Ajo që duket se nuk është përmirësuar aspak është dëshira për të mësuar. Po aq e vakët apo edhe më keq se sa njëzet apo pesëmbëdhjetë vjet më parë

Qyteti më i lirë në Tiranë

Qira mujore 3.800 lekë/muaj, përfshirë ujë dhe drita pa limit. Ushqim edhe 150 lekë/vakti me tre pjata brenda, gjellë, sallatë dhe ëmbëlsirë. Fotokopje me 2 lekë faqja, internet 40 lekë/ora. Ku mund të gjenden këto çmime si të rëna nga qielli? Në gjithë Tiranën vetëm në Qytet Studenti gjen çmimet më të ulëta. Dhe as gjysmë kilometër larg nga një zonë e shtrenjtë banimi kryeqytetase, siç është Rruga e Elbasanit afër Liqenit Artificial. Studenti dhe ushtari duhen ndihmuar, ka qenë shprehja jonë popullore. Dhe ‘paga’ mujore e një studenti, dhënë nga ‘pronarët prindër’, nga anketimet del se arrin nga 10000-15.000 lekë në muaj me kursime për vajzat deri në 20.000-30.000 lekë/muaj për djemtë, përveç duhanit, që iu shkon rreth 70 mijë lekë në muaj, e pjesa dërrmuese e djemve janë duhanpirës. Me afërsisht 300-500-700 lekë/dita për të gjitha nevojat. Hiq këtu qiranë vjetore prej 40.000 lekësh, e paguar që në fillim të shkollës.

Kostoja e një studenti

Qira mujore    – 3.800 lekë/muaj/njeri (plus ujë dhe drita)

Internet           – 40 lekë/ora (brenda bujtinës), 60lekë/ora (jashtë bujtinës)

Fotokopje       – 2 lekë faqja

Vakti (3 pjata)- 150 lekë-250 lekë/njeri

Pilaf               - 30-50 lekë

Fasule             -  50 lekë

Sallata             – 50 lekë

Tarator            – 50 lekë

Kafe               – 50lekë

Qumësht        -  40 lekë

Duhan            

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›