E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllja e urës së Milotit – Kërkohet ndjekja e sinjalistikës në drejtim të Rubikut

Mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat në Milot ka shtuar ndjeshëm fluksin e automjeteve përgjatë aksit Tiranë–Fushë-Milot–Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe shpeshherë kaos total në qarkullim.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që lëvizin përgjatë rrugës nacionale Lezhë–Milot që të ndjekin sinjalistikën e vendosur në drejtim të Rubikut, për të dalë në Rrugën e Kombit dhe anasjelltas.

“Ndalimi i qarkullimit në këtë urë ka shtuar qarkullimin në aksin Tiranë–Fushë-Milot–Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës. Kjo ka qenë përdorur si rrugë alternative për banorët e zonës. Ju bëj thirrje drejtuesve që të vijojnë lëvizjen në drejtim të Rubikut për të dalë më pas në rrugën e kombit”, u shpreh Valentin Nikolli, Shefi i Qarkullimit Rrugor Lezhë

Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se, kalimi në këtë urë përbën një rrezik serioz, pasi janë dëmtuar themelet e saj.

Mbyllja e urës erdhi pas ekspertizës teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, deri në përfundim të projektit të ndërhyrjes emergjente që po hartohet nga ARRSH në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ndërtimi i një ure krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›