E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyten emigrantet nga Libia

54 të vdekur është bilanci tragjik i një udhëtimi të dëshpëruar të disa emgrantëve të nisur nga Libia për në Itali me anë të një gomoneje. Ka qenë pikërisht komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët që ka marrë personalisht dëshminë e të vetmit të mbijetuar. Personi ishte pasagjeri i 55 në barkën ku ka parë të vdisnin një nga një shokët e tij të udhëtimit nga dehidratimi në një udhëtim që kishte zgjatur plot 15 ditë. I mbijetuari i vetëm është shpëtuar nga rojet bregdetare të Tunizisë. Menjëherë sapo ka marrë veten në spital, ai ka treguar tragjedinë. Tragjedia e radhës kjo që ka ndodhur në kanalin e Sicilisë. Në fund të muajit qershor ai së bashku me 54 persona të tjerë ishin nisur me një gomone drejt Italisë. Një ditë më pas kishin parë brigjet e Italisë. Por erërat e forta kanë shtyrë prapa gomonen drejt Tunizisë. Brenda pak ditësh gomonia ka nisur të shfryhet, dhe në bord të saj nuk ksihte ujë. “Është një tragjedi e vërtetë është shprehur Aleksandër Aleinikof, zëvendës komisioner i lartë në Kombet e Bashkuara për refugjatët. Më tej ai i ka bërë thirrje komandantëve të rojave bregdetare në detin mesdhe, që të patrullojnë me kujdes për të evituar ngjarje të tilla, duke kujtuar se kjo zonë është një nga më të prekurat nga ana e refugjatëve që përpiqen të vijnë në rrugë detare. Që nga fillimi i këtij viti rreth 1300 persona kanë mbërritur në Itali nga Libia. Ndërkohë që një barkë tjetër me rreth 50 emigrantë ndodhet ende në det të hapur pasi një ditë më parë pasagjerët kanë refuzuar ndihmën e forcave të armatosura malteze. UNCR-ja bën të ditur se këtë vit rreth 170 persona kanë vdekur apo kanë humbur në det në përpjekje për të arritur në Europë nga Libia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›