E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana pret kualifikimin

Tirana do të zbresë e para në fushë nga skuadrat shqiptare, në turin e parë kualifikues të Europa League. Në Luksemburg, skuadra bardheblu do të luajë ndeshjen e kthimit përballë modestëve të Grevenmakerit, takim që starton në orën 17:45.

Ekipi i drejtuar nga Hulian Rubio niset i avantazhuar në këtë sfidë, jo vetëm prej kontingjentit më cilësor, por edhe prej fitores 2-0 të regjistruar në “Qemal Stafa” në takimin e parë.

Edhe pse praktikisht duket se e kanë hipotekuar kualifikimin në turin e dytë, bardheblutë duhet të tregohen të kujdesshëm që të evitojnë surpriza të pakëndshme, por mbi të gjitha të regjistrojnë një rezultat pozitiv, që do të shërbente për moralin në vazhdimin e aventurës në ndeshjet ndërkombëtare.

Ndryshe nga ndeshja e parë, trajneri Hulian Rubio pritet të ndryshojë skemën e lojës. Kjo ndihekohet nga rikthimi në dispozicion i Karabecit, por edhe nga fakti që fillimisht Tirana duhet të mbrohet me kujdes dhe të kërkojë ta godasë kundërshtarin me kundërsulme.

24-herë kampionët e Shqipërisë pritet të zbresin në fushën e lojës të rreshtuar me formacionin 4-2-3-1, ku Bala sulmues i vetëm do të mbështetet nga Gilman Lika, Ferraj e Taku, ndërsa Klodian Duro pritet ta nisë takimin nga stoli. Nëse kualifikohet, Tirana do të luajë në turin e dytë të Ligës së Europës përballë norvegjezëve të Alesund.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›