E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytet në liqenin e Tujanit pronari i një lokali

TIRANE- Një 35-vjeçar gjeti vdekjen në ujërat e liqenit të Tujanit në periferi të Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme, kur Shkëlqim Canga dhe tre miqtë e tij kanë hyrë për t’u larë në liqen, pasi kishin drekuar së bashku. Sipas policisë, miqtë e Cangës kanë dalë nga uji dhe kur janë afruar tek makina e tyre, kanë vënë re që 35-vjeçari pronar i një lokali në “Misto Mame”, nuk dukej asgjëkundi. Në kushtet kur nuk po gjenin asnjë shenjë jete nga miku i tyre, kanë lajmëruar policinë.

Drejt liqenit të Tujanit që ndodhet në periferi të Tiranës janë nisur forca të shumta policie si dhe polumbarët e RENEAS, të cilët në kohë rekord nisën kërkimet për trupin e viktimës.

Ndërsa miqtë e viktimës janë shoqëruar drejt komisariatit për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Policia do të bëjë të ditura shkaqet e mbytjes pasi të bëjë dhe autopsinë e kufomës.

Paraprakisht dyshohet se Canga dhe miqtë e tij kishin konsumuar jo pak alkool dhe sapo 35-vjeçari ka rënë në kontakt me ujin, ka gjetur vdekjen.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›