Mbytja e Titanikut të të varfërve
Flet për emisionin Shqip në Top Channel, shkrimtari dhe gazetari italian, Alessandro Leongrande, autor i librit Mbytja- vdekje në Mesdhe – Botim i dhjetorit 2011, Feltrinelli Itali.
Kur ka ndodhur mbytja e Katerit të Radës ju keni qenë shumë i ri. Si shpjegohet që ju ka mbetur kaq shumë në mendje kjo ngjarje, aq sa të shkruani një libër?
Ka qenë një ngjarje që ka shënuar një pikë ndarëse, ashtu siç ka qene edhe mbërritja e anijes Vlora. Unë jam nga Puglia. Atë verë isha në Taranto dhe e kujtoj në mënyrë perfektë mbërritjen e shqiptarëve me anijen Vlora. Qe një fakt epokal. Besoj se për ne ai ka përfaqësuar rënien e murit të Berlinit. Madje mund të them se qe më i rëndësishme se rënia e Murit, e rënies së perdes së hekurt që ndante Europën. Por njëkohësisht ishte edhe fillimi i një epoke të re, që shënoi fillimin e lidhjes jo vetëm më lindjen më të afërt, që përfaqësonte Shqipërinë, por edhe me Lindjen disi më të largët që ndodhej pas Shqipërisë. Ai qe fillimi jo vetëm i ringjalljes së marrëdhënieve në Adriatik, por edhe fillimi i udhëtimeve të emigrantëve drejt Italisë. Të paktën për një dhjetëvjeçar Vlora qe porti kryesor i imbarkimit për të gjithë botën dhe bregu mes Otrantos dhe Brindisit ishte pika kryesore e hyrjes në Itali dhe Europë. Më parë shqiptarët, pastaj kosovarët edhe shumë njerëz nga Azia më e largët janë nisur nga Vlora. Kurse mbytja e Katerit të Radës, në rrethanat e një gjendjeje dramatike të revoltës e të luftës civile të vitit 1997 në Shqipëri, shënon një lloj linje ndarëse, sepse Italia e vitit 1997 ishte ndryshe nga Italia e vitit 1991. Është një Itali që fillon të shohë me keqdashje, që fillon ta shohë emigracionin si një kërcënim, si mbërritja e subjekteve të panjohur nga jashtë. Në ato muaj ka pasur një fushatë në shtyp kundër shqiptarëve, një fushatë që mund të që mund të cilësohet si rasti i parë i racizmit gazetaresk dhe institucional i bërë nga Italia. Në atë kohë dëgjuam deklarata e fjalë që sdëgjoheshin prej 60 vjetësh në Italia. E pikërisht në këtë kontekst ndodhi mbytja e Katër i Radës. Është një ngjarje që shënon një vijë ndarëse, sepse për herë të parë kemi një mbytje të këtyre përmasave në detin Mesdhe. Një mbytje që nuk është një ngjarje natyrore, siç mund të ketë qenë në raste të tjera edhe gjatë vitit të fundit. Ajo mbytje qe fryt i politikave të përzënies dhe i një marrëveshjeje që quhet për luftimin e flukseve migruese.
Si shpjegohet atëherë që për gjithë këto vjet askush nuk kishte shkruar diçka për Katërin e Radës?
Këtë nuk e di. Për mua ajo ishte paradigma e shumë gjërave. Jo vetëm paradigma e emigracionit, e marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë, e mënyrës se si ka ndryshuar Adriatiku, paradigma e një udhëtimi të përfunduar keq. Mendoj se mbytja është një ngjarje shumë dramatike; pikërisht këto ditë flitet shumë në Itali për mbytjen e anijes turistike Costa në brigjet e Toskanës. Kurse mua më vjen të kujtoj se gjatë vitit 2011 dhe në këto ditë të para të vitit 2012 kanë humbur jetën në detin Mesdhe më shumë se 2.000 persona që po përpiqeshin të mbërrinin në Itali, kryesisht nga Libia, por jo vetëm nga Libia. Për këta nuk i bëhet vonë njeriu, nuk i konsiderojnë persona, nuk konsiderohen as numra dhe as emra. Kater i Radës ishte një lloj Titaniku i të varfërve. Si i tillë, ai meritonte të rrëfehej, të kishte dinjitet e tij.
Sa kohë ju është dashur të punoni me librin për të nxjerrë një vepër kaq të plotë? Si keni punuar për të arritur në këtë rezultat?
Kërkimi zgjati shumë. Siç thashë dhe më parë flitej për një ngjarje të veçantë, që bënte pjesë në historinë e emigracionit shqiptar drejt Italisë, por që nuk ishte një ngjarje e shkaktuar nga forcat e natyrës ose nuk qe fryt i gabimit të atij që ishte në timonin e Katër i Radës. Këtu kishte një goditje në det dhe më pas është punuar për të fshirë gjurmët, për të mos zbuluar dot se e kujt ishte përgjegjësia e goditjes. Kjo punë për mua ka qenë shumë e gjatë. Por duhet të them, që kishte një gotë gjysmë plot, por edhe një gjysmë bosh. Gjysma plot ishte fakti që ndryshe nga mbytjet e tjera që janë tërësisht të mbështjella nga heshtja mes valëve të detit, ne këtë rast ka pasur një gjyq. Një proces gjyqësor do të thotë një mekanizëm qoftë edhe minimal, që drejtësia ka vënë në lëvizje për të zbardhur se çfarë ndodhi atë mbrëmje. Pra dëshmitë e atyre që ishin në anije, të atyre që ishin në anijen ushtarake, të atyre që ishin në tokë etj, etj. Ky ka qenë një serbator për librin tim. Por ajo që e bën këtë proces gjyqësor të ngjashëm më shumë procese të tjerë, është mjegulla. Mjafton të kujtojmë Ustica, Piazza Fontana apo vdekjen e anarshistit Pinelli; edhe këtu ka një zonë të errët, një mjegull që nuk çahet. Për shembull është e pamundur të kuptohet zinxhiri i komandave. Përveç komandantit italian që drejton anijen, ky zinxhir komandash çon në nivelet e larta të Marinës Ushtarake Italiane. E këtu ky proces i ngjan disa të tjerëve. Të marr një shembull: gjyqi për shkollën Diaz për rrahjen e manifestuesve pas G8 në Genova përpara dhjetë vjetësh. Ky gjyq ka përfshirë, por jo dënuar, autoritete të larta të policisë. Ky gjyq ka një ngjashmëri të madhe me rastin e Katerit të Radës, ku përgjegjësia objektive, ushtarake, politike, morale e niveleve të larta të Marinës sonë Ushtarake, faktikisht nuk është njohur. Dhe kjo ka ndodhur, jo sepse hetuesit nuk janë treguar të guximshëm, apo sepse kush e di se për çarsye është vendosur që të mos hetohet. Por për një arsye që në Itali perceptohet si e zakonshme, por që në një demokraci perëndimore nuk duhet të jetë kështu: arsyeja është sepse provat zhduken. Ka ushtarakë që japin versione në marrëveshje, dhe sot e kësaj dite teza e tyre është: Shqiptarët u futën poshtë korvetës, Sibila.
Kjo është e pabesueshme. A thua se kishin ndër mend të vrisnin veten.
Por sikur të mos mjaftonte që ushtarakët japin të gjithë një version, arrin një moment dhe zhduken shiritat ku janë regjistruar të gjitha komunikimet e asaj pasditeje mes anijeve në det dhe komandës në tokë.
Ka qenë ndoshta një rastësi?
Nuk besoj. Po e tregoj që të jap idenë. Atë pasdite në det nuk ndodhej vetëm korveta Sibile, e cila më pas do të godasë Katerin e Radës. Në det ndodheshin katër anije të Marinës Ushtarake, kishte dy helikopterë që fluturonin mbi zonë. Ndjekja, se kështu mund të quhet një operacion që ka zgjatur një orë e gjysmë, koordinohej në tokë nga dy komanda: Taranto dhe skuadra detare. Pra flasim për nivele të larta të Marinës sonë. Mes gjithë atyre subjekteve që ndodheshin në det dhe komandave në tokë ka pasur një fluks të vazhdueshëm komunikimesh. Kush ka një minimum njohjeje të lundrimit apo të një operacioni në det të hapur, e di mirë që komandanti i një anijeje nuk vepron vetë. Çdo gjë që ai bën, është rrjedhojë e urdhrave, çdo 30 sekonda, çdo minutë, çdo minutë e gjysmë i mbërrijnë urdhra nga toka. OK? Të gjitha shiritat që kanë regjistruar bisedat e asaj pasditeje mes të gjithë subjekteve në tokë dhe në det,