E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytja e tragetit në Bangladesh,112 të vdekur

Numri i të vdekurve, shkaktuar nga mbytja e një trageti në Bangladesh ka arritur në 112 persona, ndërsa dhjetë udhëtarë janë shpallur të humbur, informuan të mërkurën burimet zyrtare. Anije rimorkuese kanë tërhequr tragetin e mbytur në ujra të cekëta dhe planifikojnë që ta kthejnë në breg. Rreth 35 persona arritën t`i mbijetojnë aksidentit duke notuar deri në breg.Trageti u mbyt ditën e martë, disa minuta pasi u përplas me një çisternë të vogël, në lumin e Megnës, në jugperëndimir të kryeqytetit Daka. Transporti lumor është shumë i përhapur në Bangladesh, për shkak të rrjetit të gjerë dhe lehtësisë së lëvizjes nëpërmjet këtij transporti. Si rrjedhojë, aksidentet e këtij lloji janë të shpeshta. Me qindra persona, shumica e të cilëve familjarë, janë grumbulluar në breg të lumit për të identifikuar trupat ose për të marrë lajme rreth të afërmve të humbur. Nuk është ende e qartë se sa persona ishte duke transportuar trageti në momentin e aksidentit dhe sipas policisë, bilanci përfundimtar i tragjedisë mund të jetë mbi 200 veta. Ky është aksidenti më i rëndë që prej nëntorit 2010, kur 118 persona humbën jetën kur një tjetër traget u mbyt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›