E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, vazhdojnë përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës

Ndërmjetësi ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, ka deklaruar se ka marrë përgjigje konkrete nga regjimi i Bashar al-Asadit, rreth propozimeve të bëra në Damask, për zgjidhjen e krizës në këtë vend.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe thotë se “Anan po kërkon përgjigje ndaj propozimeve të Asadit”, por nuk jep detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Më hërët Anan vizitoi Damaskun, ku edhe zhvilloi bisedime me Asad.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kritikuar Asad për “vonesa të mëdha” në zbatimin e reformave.

Ai tha se politika e Moskës për Sirinë nuk ka qëllim mbrojtjen e regjimit të liderit sirian.

Rusia, së bashku me Kinën, kanë kundërshtuar rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënojnë dhunën në Siri.

Kjo e fundit është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që në mars të vitit të kaluar. Sipas shifrave zyrtare, mbi 7.500 persona, shumica civilë, kanë humbur jetën në trazira.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›