Shtohet tensioni,Thaçi: Serbia po provokon konflikt të ri

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar ashpër pretendimet e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë të parapara të mbahen në maj të këtij viti.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka ngritur zërin, duke folur me një leksik të ashpër për synimet e Serbisë që të mbajë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.
Thaci tha gjithashtu se përpjekja e Serbisë paraqet një agresion ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Sipas kryeministrit do të përdoren të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore për të ndaluar këto zgjedhje jo legale dhe jo legjitime. Sipas tij, me këto zgjedhje, Serbia po provokon hapur një konflikt të ri me shtetin e Kosovës dhe që mund të ketë pasoja edhe për vendet e tjera të rajonit.
Kryeministri Thaci ka bërë thirrje ndaj faktorit ndërkombëtar, kryesisht ndaj BE që të luajë rolin e vet në këtë situatë.
Edhe zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi deklaroi se qeveria është në kontakte me BE-në për t`i bërë të ditur Serbisë që të mos cenojë shtetin e Kosovës. Ai ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve të reja për çështjen e veriut të Kosovës.