E Shtunë, 31 Tetor 2026

McChrystal pas takimit me Obama-n

I paqartë fati i gjeneralit Shefi i luftës në Afganistan kërkon falje për deklaratat

Komandanti amerikan i trupave në Afganistan është larguar nga Shtëpia e Bardhë, pas një takimi kokë më kokë me Obama-n, pas akuzave në lidhje me një intervistë që dha për një revistë së fundi. Gjenerali Stanley McChrystal e takoi Obama-n për rreth 30 minuta dhe ende nuk dihet nëse do të vazhdojë apo jo që të qëndrojë në detyrë, por i ka thënë Obama-s se deklaratat e tij në lidhje me Presidentin dhe ushtarët e Afganistanit ishin një “gjykim i tij i dobët”. Ndërkaq Presidenti i Afganistanit, Karzai, ka treguar edhe një herë mbështetjen ndaj gjeneralit amerikan, duke bërë të ditur se ai nuk do të donte që ushtaraku të zëvendësohej nga një tjetër. Menjëherë pas botimit të intervistës së tij, McChrystal është thirrur me urgjencë në Shtëpinë e Bardhë, për të dhënë sqarime përpara Presidentit. Thuhet se ai ka kërkuar menjëherë falje. “Ajo çka thashë ka qenë një vlerësim i gabuar, që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, ka deklaruar McChrystal. Sa për Obama-n ai deklaroi të martën se dëshironte që të fliste me gjeneralin personalisht para se të vendoste ndërmarrjen e ndonjë veprimi. Media amerikane bëri të ditur se gjenerali, ndërkohë, ka dorëzuar dorëheqjen, por i takon Presidentit që të vendosë nëse ai do të vazhdojë apo jo detyrën që i është ngarkuar në Afganistan. Deri dje, nuk ka pasur asnjë moment zyrtar në lidhje me ngjarjet. Ajo çka dihet është se Presidenti ka qenë i inatosur nga komentet dhe se sipas tij, gjenerali ka bërë një “gabim të madh”. Sipas zëdhënësit të Obama-s, të gjitha opsionet janë mbi tryezë dhe fati i gjeneralit nuk është vendosur ende. Ndërkaq disa ligjvënës kanë kërkuar largimin e gjeneralit dhe në këtë situatë, Obama-s do t’i duhet që të zgjedhë mes vazhdimësisë së lidershipit në Afganistan, në një kohë kyçi si kjo aktualja, si dhe vënies së nderit në vend, duke qenë se komentet e gjeneralit kanë vënë në dyshim respektin ndaj komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, i cili është Obama. Artikulli i gjeneralit jo vetëm që fliste për mendimin injorues që kishte për disa zyrtarë të lartë amerikanë, mes të cilëve zëvendëspresidenti dhe Hollbruk, i dërguari i posaçëm për Pakistanin dhe Afganistanin, por ai kishte qenë kritik edhe ndaj Presidentit. Në këtë artikull McChrystal, duke iu referuar një takimi që kishte pasur me Obama-n një vit më parë, kishte thënë se takimi ishte vetëm sa për të dalë në fotografi dhe se: “Obama nuk dinte asgjë për të, se kush ishte ai dhe nuk u duk aspak i përfshirë në bisedë. Dukej që shefi ishte shumë i zhgënjyer”. Ndërkaq asistenti, i cili kishte përgatitur artikullin e revistës “Rolling Stones”, sapo ka dhënë dorëheqjen. Ndërsa zëdhënësi i talebanëve bëri të ditur se deklaratat e gjeneralit të fuqishëm amerikan janë një shenjë tjetër e humbjes që po pësojnë amerikanët në Afganistan. Presidenti Karzai, përmes një zëdhënësi të tij, bëri të ditur se do të dëshironte që gjenerali të vazhdonte të qëndronte në krye të trupave amerikane, sepse sipas tij, ai ishte “i dobishëm për paqen dhe stabilitetin”

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›