E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën

Miratohet rezoluta, kundër saj eurodeputetët nga Spanja, Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia

Parlamenti Europian ka miratuar dje mocionin për rezolutën në Komitetin për Politikë të Jashtme për Kosovën, në të cilin, mes të tjerash, ftohen vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë. Ky amendament i propozuar nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës, kaloi me një dallim të ngushtë të votave, me 31 deputetë që votuan pro dhe 27 kundër. Deputetët që votuan kundër këtij amendamenti ishin kryesisht nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si Rumania, Spanja, Greqia Qiproja dhe Sllovakia.
Deputetja nga Austria, Ulrike Lunacek, e cila është edhe raportuese për Kosovën, tha se ky është një lajm shumë i mirë dhe një rezultat i mirë për Kosovën, dhe pret që edhe në seancën plenare të Parlamentit Europian, më 7 korrik në Strasburg, të votohet me shumicë të madhe votash pro kësaj rezolute.

Lunacek theksoi se Parlamenti Europian edhe kësaj radhe konfirmoi se e sheh të ardhmen e Kosovës në BE si një shtet të pavarur.
Parlamenti Europian është i vetmi institucion i Bashkimit Europian, i cili e trajton Kosovën si shtet të pavarur, pasi vendimet dhe rezolutat në Parlament miratohen me shumicë votash, ndërkohë që në Këshillin e BE-së vendoset me konsensus të të gjitha vendeve anëtare. Prandaj, Këshilli dhe Komisioni nuk e trajtojnë Kosovën si shtet, sepse pesë vende anëtare ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Parlamentarët europianë mendojnë se mosnjohja nga pesë shtete po krijon disa probleme në rrugën e Kosovës drejt integrimeve europiane. Në mes të tjerash, po ashtu kërkohet nga EULEX-i në dhe nga autoritetet e Kosovës që të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Po sot, në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel kanë qëndruar edhe disa delegacione nga Kuvendi i Kosovës - një delegacion i Ministrisë së Bujqësisë dhe deputetëve që merren me bujqësi, si dhe delegacioni për Politikë të Jashtme, që kishte një takim ndërparlamentar me parlamentarët europianë. Në këtë të fundit u diskutua për çështjet ekonomike dhe të të drejtave të pakicave, si dhe për kthimin. Deputeti serb nga Kosova, Petroviç, theksoi se ka përparim në kthimin e serbëve në Kosovë dhe se në rast të mungesës së suksesit në këtë drejtim, nuk duhet hedhur kritika ndaj vetëm njërës anë. Ai theksoi se gradualisht serbët e Kosovës po integrohen në institucionet e Kosovës, ndërsa shumë deputetë të Parlamentit Europian mbështetën edhe pjesëmarrjen masive të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit për Komunën e Parteshit.

Kjo, sipas deputetit nga Sllovenia, Jelko Kacin, është një shenjë se serbët e Kosovës duan të jetojnë në Kosovën si shtet të pavarur. Interesin e tyre e shohin aty dhe nuk janë të gatshëm më që ta dëgjojnë Beogradin. Parlamenti Europian (PE) konsideron se Serbia duhet “të veprojë në mënyrë pragmatike ndaj statusit të Kosovës”, megjithëse e kupton se “pranimi i Kosovës tani për tani nuk është mundësi e pranuar politike për udhëheqjen në Beograd”, theksohet përveç të tjerash në tekstin e rezolutës, të cilën dje e ka miratuar Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian në Bruksel. Ky komitet, për të parën herë e ka miratuar amendamentin, në të cilin thuhet se “do ta kishte përshëndetur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian”. Këtë amendament, që u miratua me 31 vota pro dhe 27 kundër, e propozoi deputetja nga Belgjika, Anemi Nejts-Ejtebruk. është miratuar edhe plotësimi i rezolutës, ku thuhet se “merret në dijeni se shumica e fqinjëve e kanë pranuar Kosovën”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›