E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënimi i Top Channel alarmon gazetarët ndërkombëtarë

Reagojnë “Reporterët pa Kufij”, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Organizata e Medias për Europën Juglindore dhe Instituti Ndërkombëtar për Shtypin

Lajmi se një vendim i paprecedent i togave të zeza shqiptare gjobiti me 400 mijë euro televizionin kombëtar “Top Channel” i ka kaluar shpejt kufijtë e Shqipërisë, duke marrë kështu përmasa ndërkombëtare. Pas reagimeve të organizatave vendase si: Komiteti Shqiptar i Helsinkit, lëvizja “Mjaft!”, Unioni i Gazetarëve, mediave prestigjioze dhe shoqatave të gazetarëve në Kosovë, vijnë edhe deklarimet e organizatave ndërkombëtare të shtypit duke vërtetuar faktin se çudia shqiptare ka shokuar tanimë edhe opinionin ndërkombëtar. “Reporterët pa Kufij” dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve kanë reaguar duke e dënuar ashpër vendimin e Gjykatës së Faktit në Tiranë, e cila ka gjobitur televizionin më të madh në vend “Top Channel” me një shumë prej 400 mijë eurosh për shkaktim dëmi ndaj ish-ministrit Ylli Pango, vetëm pse publikoi një investigim ku dukeshin qartë sjelljet e padenja dhe abuzimi me detyrën i zyrtarit. Organizatat prestigjioze botërore, duke reaguar ndaj vendimit të marrë nga treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga zoti Agim Bendo, thonë se hetimi i kryer nga gazetarët kishte interes publik dhe se në këtë rast mbizotëron interesi i publikut për zbulimin e abuzimeve të zyrtarëve të lartë me pushtet, sesa jeta private e tyre.

Në reagimin e “Reporterëve pa Kufij” thuhet: “Më 4 mars, 2009, “Top Channel” ka transmetuar një hetim në programin e quajtur “Fiks Fare”, ku vërehen sjelljet dhe abuzimet e ish-ministrit Pango me një femër të re shqiptare. Ne jemi të habitur nga vendimi i gjykatës dhe shuma e gjobës që është vënë ndaj këtij televizioni. Abuzimi me pushtetin nga një ministër është një çështje me interes publik dhe duhet të trajtohet lirisht nga shtypi. Vendimi i “Top Channel” për të transmetuar videon ishte i justifikuar plotësisht dhe krejtësisht legjitim...”. Reporterët dënojnë vendimin e gjykatës, ku “Top Channel” duhet t’i paguajë ish-ministrit të Kulturës dëmshpërblim për transmetimin e një videoje që tregon se zyrtari i kërkon të heqë rrobat një vajze që aplikoi për punë. Sipas tyre, ky vendim është i papranueshëm dhe strukturon dhunë serioze të lirisë së medias. “Ne shpresojmë se sistemi juridik do të tregojë pavarësinë e tij duke anuluar vendimin për dëmshpërblim dhe të pushojë çështjen”, thuhet në reagimin e “Reporterëve pa Kufij”.

I menjëhershëm ka qenë edhe deklarimi pro televizionit “Top Channel” i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) me seli në Bruksel, organizatë që vepron në favor të mbrojtje së fjalës së lirë. Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është organizata më e vjetër, themeluar në 1926 dhe numëron sot mbi 600 mijë gazetarë nga 123 shtete të botës. IFJ ka akuzuar autoritetet shqiptare për shkelje të të drejtave të lirisë së shtypit dhe e konsideron si të paprecedentë verdiktin e Gjykatës së Tiranës në dëm “Top Channel”, në lidhje me një rast të gazetarisë hulumtuese. Sekretari i Përgjithshëm, Aidan White, duke vlerësuar si të padrejtë qëndrimin e Gjykatës së Tiranës, shprehet: “vendimi mund të pengojë gazetarinë investigative, që mbikëqyr shërbimin civil dhe bën të mundur që pushtetarët të mos luajnë nga vota dhe përgjegjësia e tyre para publikut”.

Të alarmuar për rastin e konfliktit zyrtar-gazetari investigative dhe vendimin e gjykatës në favor të ish-ministrit janë edhe Organizata e Medias për Europën Juglindore dhe Instituti Ndërkombëtar për Shtypin. Përmes një deklarate të përbashkët ata kërkojnë anulimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Tiranë mbi çështjen “Pango”. “Gjoba ndaj televizionit “Top Channel” është e tepruar dhe jashtë çdo logjike”, shprehet përmes kësaj komunikate sekretari i përgjithshëm, Oliver Vujoviç. Sipas tij, çështja e filmimit të ish-ministrit është me interes publik, ndaj televizioni nuk duhet të ishte gjobitur fare, pasi media funksionon si një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë demokratike.

Vujoviç shton se gazetaria investigative i jep audiencës akses në një gamë shumë të gjerë informacioni, duke marrë parasysh në këmbim edhe debatin e nevojshëm publik për çështje që i prekin drejtpërdrejtë. Përmes deklaratës publike, Organizata e Medias për Europën Juglindore, me qendër në Vjenë dhe Instituti Ndërkombëtar për Shtypin mbështesin plotësisht vendimin e televizionit për të apeluar vendimin e gjykatës.

Në fund të komunikatës thuhet se, “kur gazetarëve u kufizohet publikimi i artikujve vetëm tek ata që e kanë marrë më parë pëlqimin e qeverisë apo institucioneve ndërkombëtare, atëherë kjo në thelb do të thotë se ata funksionojnë si zëdhënës të entiteteve në fjalë, një rol që bie ndesh me qëllimin e tyre parësor, sigurimin e informacionit në interes të publikut”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›